Gripi i Derrave ka prekur 3 persona në Evropë, përkatësisht në Britaninë e Madhe dhe në Spanjë. Por lajmi i mirë në këtë alarm për përhapjen e një pandemie të rrezikshme është fakti se të tre të infektuarit janë jashtë rrezikut për jetën. Këto janë të dhënat zyrtare t Brukselit, te bëra publike nga komisionerja për shëndetësinë, Andrula Vasili.
Andrula Vasili: “Tre personat e prekur nga virusi H1N1 janë drejt shërimit. Mendoj se kjo epidemi duhet quajtur gripi novelë pasi emri aktual na çon në drejtim të gabuar dhe mund të dëmtojë industrinë e derrave. Vetëm një ditë më parë 7 vende të BE bashkë me Meksikën ranë dakord për rritjen e masave për parandalimin e sëmundjes.”
Përhapja e virusit detyroi OBSH të rrisë shkallën e gatishmërisë nga tre në katër. Sipas saj tashmë është e pamundur të kontrollohet situata. Në Meksikë numërohen deri tani 152 viktima dhe mbi 1600 të tjerë të infektuar. Mendohet se virusi mund të ketë prekur edhe Azinë. Në një komunikatë për media ministri meksikan i shëndetësisë Kordova, tha se epidemia mund të jetë në fazën e rënies, pasi numri i te prekurve shënon ulje nga dita në ditë.
Nga ana e saj Banka Botërore ka deklaruar se është e gatshme të rrisë fondet e saj për të përballuar epideminë. Vetëm një ditë më parë 205 milionë $ u akorduan për Meksikën. Sipas mediave të huaja, viktima e parë e gripit të derrave u shënua në datën 9 prill. Bëhet fjalë për një grua meksikane e cila kishte problemë të natyrës penumonare./tvklan.al