Bilanci i viktimave nga gripi i derrave në Meksikë ka arritur në 152. Ministri meksikan i Shëndetësisë, Hozè Angel Kordova, tha se epidemia mund të jetë në fazën e rënies, pasi numri i viktimave shënon ulje nga dita në ditë. Pas alarmit fals të ditës së djeshme, se gripi kishte arritur në Itali, janë shënuar tre viktima të tjera, dy në Skoci dhe një në Spanjë.
Nga ana e saj, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur shkallën e gatishmërisë nga niveli 3 në katër, për shkak të përhapjes së shpejtë të sëmundjes në Evropë. Numri dy i OBSH-së, Keiji Fukada tha se epidemia tashmë nuk mund të mbahet nën kontroll. Dyshime për përhapje të virusit ka në Australi, Kili, Danimarkë, Kolumbi, Izrael, Francë, Zelandë e Re, Kore Jugore, Suedi, Zvicër dhe Kinë. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Gjermania u kanë kërkuar shtetasve të tyre të mos udhëtojnë drejt Meksikës, vendi më i prekur nga gripi i derrave. Po ashtu Serbia dhe Kroacia kanë bllokuar importin dhe eksportin e derrit dhe nënprodukteve të tij. Të dyja këto vende kanë marrëdhënie të ngushta tregtare me Meksikën.
Nga ana e saj Banka Botërore ka deklaruar se është e gatshme të rrisë fondet e saj për të përballuar epideminë. Vetëm një ditë më parë 205 milionë $ u akorduan për Meksikën. Deri tani në shtetet e bashkuara janë identifikuar 45 raste të infektimit me virusin H1N1. Sipas mediave të huaja, viktima e parë e gripit të derrave u shënua në datën 9 prill. Bëhet fjalë për një grua meksikane e cila kishte problemë të natyrës pleumonare./tvklan.al