27 janë rastet e konfirmuara me gripin e derrave në Europë, nga të cilat: 13 në Spanjë, 8 në Britaninë e Madhe, 3 në Gjermani dhe 3 në Zvicër, Austri dhe Holandë.
Të dhënat janë zyrtare, te deklaruara nga Bashkimi Europian, i cili vetëm një ditë më parë ra dakord të rrisë bashkëpunimin me firmat prodhuese të ilaçeve në mënyrë që të parandalohet sëmundja vdekjeprurëse.
Ministrat e shëndetësisë thanë se do të financojnë prodhimin e një vaksine me efekt të menjëhershëm. Ndërkaq, OBSH zyrtarisht konfirmoi se në nivel global janë 257 raste të verifikuara me sëmundjen që tani e tutje do të njihet si Gripi A, numri i viktimave vazhdon të mbetet në 12. Ministri meksikan i shëndetësisë, Hoze Angel Kordova tha se në këtë vend, numri i të prekurve arrin në 312.
Jose Angel Kordova: “Kemi 312 raste të konfirmuara nga të cilat 300 janë ende në jetë. Ne jemi duke monitoruar nga afër gjendjen e pacientëve, megjithatë më duhet t’ju them se jemi të sigurt se numri i viktimave do të vazhdojë të shënojë rritje.”
Në SHBA numërohen 109 raste të infektimit me virusin vdekjeprurës. Kjo është hera e dytë që OBSH vendos një nivel 5 alarmin nga gripi i derrave. Virusi H1N1 është i njëjti që në vitet 1918-1920 shkaktoi gripin spanjoll nga i cili gjetën vdekjen e 40 milionë njerëz./tvklan.al
Gazetare: Bora Sadriaj