Rubrika  “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan solli ditën e sotme rastin e zonjës Manushaqe, e cila prej 20 vitesh është larguar nga Peqini dhe banon në Tiranë. Ajo pretendon se një ndërtim pa leje i ka bllokuar hyrjen për në banesën që ka në Peqin.

Manushaqja madje pranon edhe të ballafqohet me personin që ka bërë ndërtimin dhe situata të zgjidhet. Sipas saj, bashkëshorti u largua nga kjo jetë me një pishman të madh para 4 vitesh, dhe prandaj ka ardhur në këtë seancë ndërmjetësimi, për ta çuar amanetin e tij deri në fund.

Manushaqe: Unë i kërkoj vetëm zotit Burhan Elezit, se ai ka vdekur tani, por ka djalin. Si e zure rrugën ti more? Qysh më prishe shtëpinë, si ma more tokën, bleva tokën me lekë. Punova shumë, me gjithë burrin e sëmurë dhe kur erdhi puna as shtëpi, as katandi.

Eni Çobani: Zonja Manushaqe, ju pretendoni që pa marrë pëlqimin e askujt, zoti Artur Elezi ka ndërtuar një ndërtim pa leje apo jo?

Manushaqe: Po!

Eni Çobani: Dhe ju për këtë bllokim keni bërë disa kërkesa?

Manushaqe: Po, po!

Eni Çobani: Çfarë ndodhi më tej?

Manushaqe: Unë shkova tek Kryetari i Bashkisë, para këtij që është tani, një zotëri djalë, mos e bëftë nënë më të mirë. Por kur kanë shkuar këta të tjerët, si nuk kanë njëçikë cipë, si bënë vila, si bënë gjithë këto gjëra të bukura për vete? Si i zure rrugën fukarait ti? Një njeriu të ndershëm që dinte vetëm drejtësi.

Eni Çobani: Nga dokumentacioni i paraqitur nga zonja Manushaqe, e cila pretendon se ky zotëri ka bërë një ndërtim pa leje, të cilën e ka futur në legalizim në vitin 2014 dhe është vërtetuar plotësisht se ndërtimi është pa leje dhe ka bllokuar edhe rrugën e hyrjes së zonjës. Unë sigurisht e ftoj patjetër, që nëse ai do dëshirojë të dalë përballë zonjës Manushaqe, me faktet dhe provat që ajo ka paraqitur në këtë seancë ndërmjetësimi dhe për ta sqaruar plotësisht, që a është e vërtetë që zoti Artur Elezi e ka bllokuar me objektin e tij, rrugën për të hyrë në banesë apo jo. Ju besoj që e merrni përsipër përballë tyre apo jo?

Manushaqe: Patjetër! Unë vetëm këtë i kërkoj atij, nëse unë do kisha shembur shtëpinë e tij, çfarë do kishte bërë ai? Shiko çfarë fëmijësh ka rritur Hilmiu, me një kulturë, me një edukatë, i thoshte: Babi nuk ke punë me atë, se vritesh. Deri sa para 4 vitesh vdiq qyqi, por me një pishman të madh, prandaj kam ardhur këtu, të çoj amanetin e tij në fund. /tvklan.al