Grupi parlamentar i partisë socialiste vendosi të miratojë në seancën e radhës unanimisht projektligjin për pronat propozuar nga qeveria. Kërkesa e sekretarit të përgjithshëm Ruçi është debatuar për gati tre orë. Të cilësuar si deputetë të mendimit ndryshe Legisi dhe Dizdari kanë kërkuar abrogim të ligjit 7501, por kjo është kundërshtuar nga kreu i Komisionit të Ekonomisë Bufi me pretekstin se do të krijonte kaos te pronarët e rinj që mbeten me duar bosh. Deputeti Braçe është shprehur kundër kompensimit të pronës në bregdet. Lekë Çukaj ka mbështetur mendimin e Dizdarit dhe Legisit se metoda e Bufit nuk do të kompensojë asnjë pronar në të vërtetë. Edhe ligjvënësit demokratë kanë vendosur të votojnë projektligjin e pronave me kusht që të ndryshojë pika e sekuestrimit të pasurive mbi tatimin e jashtëzakonshëm të vitit ‘45 që njeh legalizimin e banesave të marra nga pasuritë e shtetit pas Luftës së Dytë Botërore. Në rast se kjo kërkesë nuk do të merret parasysh atëherë opozita do të bojkotojë seancën.
Bamir Topi: “Ne jemi të vendosur që kur diskutohet për ligjin mbi kompensimin dhe kthimin fizik të pronave, ky problem të merret si i barabartë në të gjitha rastet e mundshme, pra duke mos marrë në konsideratë atë që socialistët e kanë lënë në draft. Që merr në konsideratë vendimin për tatimin e jashtëzakonshëm për të cilin grupi parlamentar i partisë demokratike nuk shprehet dakord.”
Për këtë çështje socialistët u shprehën se është arritur zgjidhja kushtetuese, sipas kriterit themelor “prona te pronari”. /tvklan.al