Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i ka dhënë sot mbështetjen politike kryeministrit Meta për ndryshimet e fundit në kabinetin e tij. Deputetët socialistë, kanë kërkuar sot ndryshime të tjera sidomos në administratën publike, në ato sektorë ku ajo nuk funksionon.
Kryeministri Meta mësohet të jetë shprehur se nuk ka ndërmend të bëjë asnjë kompromis shokësh apo miqsh në kurriz të programit të qeverisë që ai drejton. Meta ka pohuar se është më mirë të sakrifikosh shokët se sa programin qeverisës. Kryeministri ka argumentuar ndryshimet përballë deputetëve socialistë, si nevojë të domosdoshme për t’i dhënë një shtysë të re punës në ato sektorë ku u ndryshuan drejtuesit.
Lidhur me deklaratën e ish-ministrit të Drejtësisë Ilir Panda, sipas të cilave, kryeministri Meta i ka kërkuar atij, që të arrestojë Berishën, Meta është shprehur se ish-ministri Panda, i krijoi këto alibi për të motivuar paaftësinë e tij. Gjithsesi kryeministri është shprehur i bindur përpara deputetëve socialistë, se ndryshimet do t’i japin një impuls të ri punës së qeverisë./tvklan.al
Gazetare – Mimoza Picari