Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste vendosi që projektligji për legalizimin e shtesave të quhet vendim politik. Ndryshe nga deklarata e një dite më parë, nënkryetari i grupit Bardhyl Agasi u shpreh në mbledhje, se do të ndëshkohen të gjithë deputetët që votojnë kundër.
Bardhyl Agasi: “Kjo do të thotë që i gjithë grupi do të votojë në bazë të këtij vendimi politik që kemi marrë sot”.
Ndre Legisi dhe Valentina Leskaj dy nga deputetët që u shprehën kundër projektligjit të qeverisë, në seancën e kaluar, pas dy orë mbledhje në grup vendosën të unifikojnë qëndrimin, jo vetëm për shkak të statuti, por dhe të amendimit në ligjin e urbanistikës, ku dot përfshihet konfiskimi i shtesave në ndërtime.
Ndre Legisi: “U bënë disa përmirësime të nevojshme dhe të domosdoshme, bie fjala u fut konfiskimi në ligjin për urbanistikën, për të gjitha ndërtimet që do të bëhen më tej, të paligjshme, në kundërshtim me projektet, ndërkohë u nda fondi edhe për të pastrehët, dmth, u bë një politikë më fleksibël lidhur me fondin që do të përfitohet nga bashkitë dhe nga qeveria, për me destinacion të pastrehët”.
Valentina Leskaj: “Siç e ka propozuar qeveria”.
Gazetarja: Përse votuat kundër herës tjetër?
Valentina Leskaj: “I kam dhënë argumentet në grupin parlamentar”.
Erion Braçe: “Po të gjithë ata që votuan ndryshe herën që shkoi, sot shpjeguan se nuk e kishin marrë vesh se si duhet të votonin më përpara, kështu që kam përshtypjen se sot do të jetë unik, 20% e kostos për metër katror do të paguhet për banesa dhe 15% për lokalet e tjera të shërbimeve. Ndërkohë që u vendos që 80% e këtyre fondeve t’i shkojnë pushtetit vendor dhe 20% e tyre t’i shkojnë pushtetit qendror me destinacion strehimin”./tvkan.al
Gazetare – Arta Tozaj