Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim vlerëson se KQZ, duhet të jetë i paanshëm, përndryshe balancimet e përfolura politike paralajmërojnë shfaqjen e kontestimit të zgjedhjeve.

Sabit Brokaj: “Nga vetë përvoja e aktivitetit të këtij komisioni, nga pretendimet e deritanishme del që ky komision do të ketë probleme në procesin e zgjedhjeve dhe në përfundimin e tyre. Ne nuk jemi për komisione të ndikueshme nga një ose dy parti. Sistemi i konkurrimit duhet të jetë i barabartë, i vlerësimit i barabartë, transparentë dhe i drejtë. E shikojmë që një komision i tillë që realizohet nën ndikimin e një ose dy partive, do të sjellë probleme.”

Pas mbledhjes së grupit, kryetari Sabit Brokaj tha, se deputetët e LSI kundërshtojnë listën e të propozuarve socialistë për këshillin mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke argumentuar se në të janë përfshirë të preferuarit e kryeministrit dhe se në listën klienteliste siç u shpreh Brokaj, nuk përfshihet enkas emri i guvernatorit të deritanishëm Shkëlqim Cani.

Ky grup parlamentar shprehet edhe kundër projektligjit të legalizimit të zonave informale, duke hapur konflikte për çështjen e pronësisë./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj