Lajme Arkiva 2003
Grupi parlamentarë socialist u mblodh për të shqyrtuar dy emrat e propozuar nga kryesia e partisë për vendet vakante ministrore. Për gati 2 orë socialistët kanë debatuar. Sabit Brokaj në cilësinë e përfaqësuesit të një grupi deputetësh të njohur ndryshe si përkrahës të ish kryeministrit Ilir Meta ka dorëzuar letrën pranë kryetarit të grupit Gramoz Ruçi.
Ndër pikët kryesore në këtë letër 15 socialistë, kërkojnë analizim të rezultateve të zgjedhjeve, të shikohen raportet me aleatët si dhe qeveri me bazë të gjerë. Ilir Zela, Limoz Dizdari dhe Sabit Brokaj kanë qenë më aktiv se pjesa tjetër e deputetëve duke i kërkuar kryeministrit të reflektojë.
Edhe përfaqësuesi i lëvizjes për katarsis Petro Koçi ka qenë i pakënaqur me qeverisjen dhe ka akuzuar në këtë mbledhje shefin e mazhorancës se ka thyer rregullat që nga koha e bashkimit të mandatit të kryetarit të Partisë me atë të kryeministrit.
Kreu i ekzekutivit Fatos Nano u ka kërkuar socialsitëve që të mbajnë qëndrim politik të njësuar përballë opozitës.
Duke folur për përkushtimin politik të dy kandidaturave ende të akredituara nga presidenti i republikës, Fatos Nano ka ftuar socialistët të mos neglizhojnë përgjegjësit qeverisëse për interes të zhvillimeve të pritshme kongresuale, apo për ambicie personale politike, në deklaratën përfundimtare, grupi parlamentar socialist, shprehet se do të mbështesë vendimet dhe do të kontribuoj për stabilitetin qeverisës si dhe do të votojë dekretet e presidentit.
12 deputetë socialist votuan kundër ndërsa 12 të tjerë abstenuan. Ndër këta përfshihen emrat e deputetëve si Dritan Prifti, Gjergji koja, Ndre Legisi, Ilir Meta, Sabit Brokaj, Bashkim Fino, Eduard Alushi, Mustafa Muçi, Limoz Dizdari, Ardit Kraja, Flamur Rogu, Spartak Braho dhe Ilir Zela./tvklan.al