Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk mundi të miratojë disa projektvendime të rëndësishme, përfshirë edhe ato për hapjen e dy çerdheve të reja dhe miratimin e aboneve falas për studentët. Kjo pasi mbledhja e kësaj të hëne u ndërpre që në nisje, për shkak të tensioneve që u krijuan në sallë.
Sapo kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nisi të prezantoi projektvendimet që ishin në rend të ditës, këshilltarët e opozitës tentuan ta ndërpresin atë duke hedhur edhe një dosje me letra në drejtim të tij. Pavarësisht përpjekjeve të kryetares së Këshillit Bashkiak, Romina Kuko për të qetësuar situatën, përplasjet verbale kaluan edhe në fizike.
Këshilltari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe këshilltari i Partisë Socialiste, Halit Valteri u përplasën fizikisht, çka çoi në mbylljen e mbledhjes. Mësohet se pas kësaj, Valteri e ka kallëzuar penalisht Blushin me pretendimin se e ka qëlluar me grusht. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i denoncoi sjelljet e këshilltarëve të opozitës si vandale.
“Ilir Meta dhe rrugaçi i fundit që i ka mbetur, nuk e përballojnë dot as suksesin e Tiranës dhe as humbjen kolosale të partiçkës së tyre. Sjellja prej vandali ndaj kolegëve këshilltarë, është shenjë dëshpërimi, jo force. Do të kërkoj zbatimin e ligjit me përpikmëri që rrugaçëria të marrë përgjigjen që meriton.”
Veliaj shkruan se Tirana nuk do të mbetet peng i maktheve të Ilir Metës e atyre që ai i quan si mjeranët e tij.
Tv Klan