Protestuesit izraelitë duke festuar lajmin e lirimit të Gadi Moses me grupin e ardhshëm të pengjeve që do të si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Gazë.

80-vjeçari Gadi do t’iu bashkohet dy grave, Arbel Yehud dhe Agam Berger. Zyra e Kryeministrit izraelit konfirmoi gjithashtu lirimin e pesë shtetasve tajlandezë.

Në këmbim, Izraeli do të lirojë 110 të burgosur të palestinezë.

Gjithsej 33 pengje izraelitë do të lirohen nga Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura në fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit.

Deri tani janë liruar dy grupe pengjesh, ndërsa tetë të mbetur janë konfirmuar të vdekur.

Në Gaza pas pushimit të luftës, palestinezët ndeshen me sfidën e strehimit dhe sigurimit të ujit të pijshëm. Shumica e atyre që kthehen në Gazën veriore gjetën një vend të pabanueshëm. Një palestinez i zhvendosur tha se kushtet janë aq të vështira sa nuk ka zgjidhje tjetër veçse të kthehet në jug në Khan Younis.

“Mezi prita kthimin në veri, por kur shkova atje u trondita. Ndaj u ktheva në Khan Younis,” tha Fahad Abu Jalhoum.

Shumë të tjerë vijojnë të kthehen në veri të enklavës, për të kërkuar jo vetëm strehim, por edhe të afërmit e humbur.

Autoritetet e Gazës thanë se deri të martën vonë, mbi 500 mijë palestinezë janë kthyer në qytetin e Gazës dhe në skajin verior të enklavës. Ndihmat gjithashtu vijojnë që të hyjnë nga Egjipti.

Pavarësisht shkatërrimit në Gaza dhe mungesës së strehimit, bota arabe kundërshton çdolloj shpërngulje të palestinezëve jashtë Gazës, siç propozoi Presidenti amerikan Trump.

Egjipti, një prej tyre, tha se nuk do të marrë pjesë në zhvendosjen e palestinezëve, madje Presidenti Abdel Fattah Al-Sisi e quajti një “akt i padrejtësie” që do të kërcënojë sigurinë egjiptiane. Ky ishte reagimi i tij i parë publik ndaj thirrjes së Presidentit Trump.

Për këtë çështje, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan priti një delegacion të Hamasit në Ankara. Përveç njoftimit të takimit, zyra e tij nuk dha asnjë hollësi mbi diskutimet.

Klan News