Kosova dhe Maqedonia forcojnë marrëdhëniet diplomatike. Shkupi zyrtar hapi ambasadën e vet në Prishtinë. Për Ministrin e Jashtëm Maqedonas, ky është një hap i ri në raportet mes dy vendeve.
Antonio Miloshovski: “Dëshiroj të përcaktohem fuqimisht për paqen në rajon, për miqësi dhe bashkëpunim ekonomik. Hapja e Ambasadës për neve është akt solemn dhe orientues i ri në marrëdhëniet tona”.
Ndërkaq Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pret ndihmë të vazhdueshme të Maqedonisë në shumë drejtime.
Fatmir Sejdiu: “Unë sot kam kërkuar qëkur dhe më herët edhe nga zyrtarët më të lartë të shtetit maqedon, që të shfrytëzojnë argumentet e veta pse e kanë njohur Republikën e Kosovës, që të flasin edhe te miqtë e tjerë”.
Në këtë ceremoni nuk u la pa u përmendur edhe fakti se në këtë vit mbushet 100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, nobelistes që sipas Miloshovskit jo vetëm, por Kosovën dhe Maqedoninë por edhe për gjithë rajonin është një udhërrëfyes i mrekullueshëm.
Ministri i Jashtëm maqedonas u prit nga homologu i tij kosovar, Skënder Hyseni, dhe ky i fundit tha, se Kosova dhe Maqedonia do të bashkëpunojnë në fusha me interes për të dyja vendet.
Skënder Hyseni: “Kosova do të insistojë që sa më shpejtë që të jetë e mundur të fitoj të drejtën për të udhëtuar pa viza, përkatësisht të fitojë atë që tashmë e ka fituar Republika e Maqedonisë. Pata kënaqësinë të dëgjoj përkushtimin e ministrit Miloshovski dhe qeverisë së Maqedonisë që ta ndihmojmë Kosovën në këtë proces”.
Miloshovskin në takimet e ndara e pritën edhe presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu dhe Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi./tvklan.al