Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazetarja: Salla e TOB me një kapacitet prej 700 vendesh, ka hapur dyert në mënyrë të kulturuar për tre kandidatët rival që garojnë për postin e kryetarit të PS, Fatos Nano, Rexhep Mejdani dhe Edi Rama. Në fillim të konferencës së 10 të PS për Tiranën, Edi Rama dhe Fatos Nano janë ulur krah njëri-tjetrit, ndërsa Rexhep Mejdani dhe Ilir Meta kanë qenë të shoqëruar bashkë.

Konferenca është hapur nga kreu i përfaqësisë socialiste Sherif Bundo, i cili ka ftuar në presidium tre kandidatët për kryetar partie. Ky është dhe ballafaqimi i parë për tre kandidatët Fatos Nano, Edi Rama dhe Rexhep Mejdani me anëtarët e PS në një konferencë.

Kryetari i PS për Tiranën Musa Ulqini ka bërë një analizë për zgjedhjet vendore për Tiranën, duke fajësuar KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor, për përsëritjen e zgjedhjeve në 130 qendrat e votimit. Ndërsa Ermelinda Meksi ka thënë, se është spekuluar me lirinë në parti dhe me mendimin ndryshe, duke u bllokuar dhe qeveria. Shprehjet të iki ky apo ai, ka theksuar Meksi, nuk na duhen. Mungesa e disiplinës së brendshme po i bën dëm partisë.

Numri dy i qeverisë ka pranuar, se në qeverisjen socialiste ekziston korrupsioni. Pritet që konferenca të zgjasë shumë. Rreth orës 13 e 30 do të marrin fjalën me radhë tre kandidatët për kryetar partie. Konferenca do të zgjedh 54 delegatë që do të shkojnë në kongresin socialist, nga 103 emra që kërkojnë të marrin pjesë në këtë kongres./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj