“Dita e fundit e muajit qershor shënoi hapjen e aksit Thumanë-Kashar, autostrada e parë në Shqipëri ku mund të qarkullohet me një shpejtësi deri në 130 kilometra në orë”, raporton gazetarja Dorina Halili.
Ky moment u dëshmua nga kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila ndër të tjera dha detaje financiare për këtë investim.
“Investimi këtu është 271 milion euro të gjitha të disponueshme nga koncensionari privat. Në ndërkohë, pagesa e kilometrit është vendosur nga studimi WBIF dhe kështu do të jetë në të gjithë segmentin e Korridorit Blu.”
Për kryeministrin Edi Rama, ky aks reflekton Shqipërinë 2030.
“Kjo rrugë është një vend ku të gjithë ata që duan ta prekin me syrin e imagjinatës çfarë është Shqipëria 2030 mund ta”.
Kreu i qeverisë foli edhe për një tjetër investim të rëndësishëm, autostradën Tiranë-Durrës, për të cilën shumë shpejt do të nisë puna për zgjerim.
“Shumë shpejt do të fillojë edhe ai projekt dhe autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet ndërkohë që rruga e vjetër e Ndroqit do të mbetet ajo që është, por do të jetë një rrugë turistike, panoramike”.
Dhe nëse nuk do të ketë probleme me gjeologjinë, tuneli i Murrizit në rrugën e Arbrit do të hapet para fundvitit dhe do të jetë pa pagesë.
“Nëse edhe fuqia e zotërve të Dibrës do të na ndihmojë, ne do kemi tunelin e Murrizit përpara përfundimit të vitit. Rruga e Arbrit nuk do të jetë me pagesë”.
Vënia e në funksion e aksit Thumanë Kashar pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun e automjeteve që krijohet shpesh në akset ekzistuese si ai Fushë Krujë-Rinas dhe Rinas-Qafë Kashar.
“Aksi prej 21 km përfundon më nyjen e Kasharit, këtu ku lidhet me rrugën Tiranë-Durrës”, shton gazetarja Halili.
Rruga e re ka një gjatësi 21 kilometra dhe është ndërtuar përmes një koncensioni me afat 35 vite.
Klan News