Burokracitë në dhënien e licencave biznesit marrin fund me funksionimin e qendrës kombëtare të licencimit. I pranishëm në ceremoninë e hapjes së kësaj qendre ishte i pranishëm edhe kryeministri Berisha i cili garantoi për reduktim të mëtejshëm të licencave në mandatin e ardhshëm.

Sali Berisha: “Sporteli unik për licencat dhe lejet është një hap tjetër madhor, i cili erdhi pasi qeveria hoqi me vendime dhe ligje 2/3 e licencave dhe lejeve ekzistuese, ka mbetur 1/3. Sporteli unik më i shkëlqyer për licencat është heqja e tyre. Unë kam besim të madh se gjatë muajve që vijnë ju do i propozoni qeverisë sime sipas vullnetit të Shqiptarëve heqjen e një serie licencash tjera.”

Qendra Kombëtare e Licencimit, e ngjashme me atë të regjistrimit, është mundësuar përmes një programi të USAID-it. Drejtoresha e këtij misioni, Roberta Mahoni, vlerësoi ngritjen e këtyre sporteleve, në përmirësimin e klimës së biznesit dhe luftës ndaj korrupsionit.

Roberta Mahoni: “Sot ne inaugurojmë QKL, bazuar në konceptin me një sportel të vetëm si dhe i ndërtuar mbi përvojën amerikane. Sistemi i ri do të thjeshtojë procedurat e licencimit dhe do të lehtësojë kështu edhe punën për bizneset. Gjithashtu do të reduktohet koha e harxhuar si dhe radhët e gjata të cilët e kanë penguar biznesin të aplikojë dhe të marrë licencë nga shteti, Gjithashtu për shpejtimin e procesit të licencimit dhe bërja e tij më transparent do të reduktojë korrupsionin edhe gjatë procesit të aplikimit. Tashmë si anëtare me të drejta të plota në NATO, Shqipërisë do t’i kërkohet një punë më e mirë në kontrollimin e korrupsionit, i cili mbetet ende një problem serioz në vend. NATO pret një qeverisje më të mirë nga anëtarët e saj për të ndëshkuar korrupsionin në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Shqiptarët kanë tashmë përfundimisht një mundësi për tu kualifikuar për marrëveshjen e kompaktit me llogarinë e sfidës së mijëvjeçarit gjatë vitit të ardhshëm dhe prandaj i bëjmë dhe thirrje qeverisë që të përfitojë plotësisht nga kjo mundësi që i ofrohet.”

Kryeministri Berisha duke rreshtuar arritjet në këtë fushë shtoi se lufta ndaj korrupsionit vazhdon të jetë në qendër të përpjekjeve të kësaj mazhorance.

Sali Berisha: “Vlera më absolute e këtij projekti dhe projekteve që kemi bërë është lufta kundër korrupsionit. Luftë e cila bëri që ky vend të ketë të ardhura në tërësi rreth 5.2 miliard dollar më shumë  këto 4 vite sesa vitet që shkuan. Luftë për të cilën qeveria ime u njoh si qeveri kampion nga Transparency International për reformat e ndërmarra. Por dua të theksoj ndoshta nuk ka patur fushë tjetër ku kemi patur sukses më të madh se në këtë fushë. Por nuk ka fushat tjetër në të cilën ne kemi nevojë të kemi një sukses shumë herë më të madh.”

Hapja e sporteleve elektronike “One stop shop” për licencat redukton barrierat administrative, ul kostot për bizneset dhe zvogëlon hapësirat për informalitet, duke përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit në Shqipëri. Kryeministri tha se hapi i ardhshëm do te jete ngritja e një sporteli të ngjashëm edhe për energjinë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro