180km dokumente gjenden në arkivin e autoritetit të pavarur në Gjermani, që u ngrit në funksion të ligjit për hapjen e dokumenteve të ish-sigurimit të shtetit. Një proces që nisi në vitin 1991, pak pas rrëzimit të murit që ndante Gjermaninë në dy pjesë e që shënoi shpërbërjen e shtetit socialist të krijuar nga ish-Bashkimi Sovjetik, Republika DEMOKRATIKE E Gjermanisë e njohur si Gjermania Lindore.

Pakti i bashkimit të dy Gjermanive solli miratimin e këtij ligji që synonte mbi të gjitha kontrollin e personaliteteve të jetës publike.

Berndt Boschard: “Ligji për dokumentet e sigurimit të shtetit është plotësuar me 3 ligje të tjera rehabilitimi, atë penal, juridiko-administrativ dhe profesional. Në fushën e të drejtës penale u përpunuan rreth 200 mijë dosje dhe mbi të gjitha padrejtësitë e bëra në këtë sens janë paguar rreth 700 milion euro zhdëmtime. Dy ligjet e tjera u erdhën në ndihmë viktimave dhe administratës komuniste dhe të gjithë atyre, karriera profesionale e të cilëve u shkatërrua për arsye politike. Dokumentet e sigurimit të shtetit janë shpesh një burim i rëndësishëm për të dëshmuar që një njeri ka qenë viktimë e regjimit dhe që si i tillë ka të drejtë për kompensim.”

Ligji për dokumentet e sigurimit të shtetit thotë ambasadori Boschard, përcakton se rreth cilit person mundtë merren dokumente për të provuar bashkëpuni9min me ish-policinë sekrete të asaj kohe STAS-in. Nga anëtarët e parlamentit, të qeverisë, gjykatat deri tek drejtuesit e kishave dhe punonjësit e medias të gjithë u përfshinë nën hetim megjithatë në Gjermani lande të ndryshme morën vendime të ndryshme.

Berndt Boschard: “Në këtë kontekst vendimet ishin të ndryshme, kështu për shembull Bundestagu gjerman vendosi që jo çdo deputet duhej kontrolluar, duhej të ishte një komision i parlamentit ai që duhet të vendoste në lidhje me realizimin e kontrollit, në momentin që konstatoheshin të dhëna konkrete në lidhje me bashkëpunimin e një deputeti me sigurimin e shtetit, kështu ka ndodhur në shuam raste. Krahas kësaj deputetët kanë pasur mundësinë të nisin vetë verifikimin e figurës së tyre. Këtë e kanë bërë rreth ¼ e deputetëve të Bundestagut të vitit 2005. Pasojat e verifikimit rëndues në shërbimin publik ndryshonin nga njëra tjetra, këtu luante rol shkalla e përfshirjes dhe pozicionimi i personit të verifikuar. Gjithashtu edhe parlamentet kanë vendosur në mënyra të ndryshme në lidhje me pasojat që duhet të kishte e shkuara e një deputeti me STAS-in, psh. në sanksionim kjo mund të çojë në heqjen e mandatit, në vende të tjera besohet se një person i tillë nuk duhet të rizgjidhet. Kështu u verifikuan gjithsej 81860 njerëz dhe 2420 u pushuan nga puna, në rastin e mësuesve u konstatua një përfshirje në masën 9%. Në Berlin procesi bëri krahas kësaj që vetëm 15% e gjykatësve të pranoheshin në profesionin e tyre dhe askush nga ata që kishin qenë në sigurimin e shtetit nuk u lejua të punonte në polici. Në landet e tjera federale të reja rezultatet ishin ndryshe. Këtu kishte nevoja urgjente për gjykatës dhe kjo nuk mund u kërkohej gjykatësve të Berlinit Perëndimor, ndaj rreth 50% e gjykatësve u mbajtën si të tillë, po kështu edhe disa qindra bashkëpunëtorë të STASI-t vazhduan punën e tyre në polici, por edhe në Berlin disa mësues të përfshirë në sigurinë e shtetit vazhduan të punonin dhe ju mund ta imagjinoni se kjo shpesh nuk mund të ishte e lehtë për tu përtypur nga viktimat e STAS-it.”

Hapja e dosjeve për bashkëpunëtorët e ish-policisë sekrete në Gjermani sipas përfaqësuesit diplomatik në Tiranë pati një rol vendimtar në trajtimin e këtij kapitulli të historisë gjermane.

Berndt Boschard: “Në tërësi ligji dhe autoriteti i krijuar në bazë të tij, kanë luajtur një rol vendimtar në procesin e trajtimit shoqëror të këtij kapitulli të historisë së Gjermanisë. Shumë e rëndësishme ka qenë këtu shkalla e lartë e besueshmërisë që drejtuesit përkatës të autoritetit për dokumentet e sigurimit të shtetit gëzonin në popull, por nga ana tjetër po aq e rëndësishme ka qenë mënyra e veçantë e qasjes së këtij ligji ndaj fenomenit, ai nxjerr në plan të parë të drejtën personale për të parë aktet dhe i atribuon një vlerë të konsiderueshme mbrojtjes së të dhënave personale, kështu është bërë e mundur të pengohet keqpërdorimi i ligjit për hesape personale apo politike.”

Në rastin e Shqipërisë Boschard preferon të mos bëjë asnjë sugjerim konkret, duke theksuar se i takon qeverisë shqiptare të vendosë, megjithatë konsulenca gjermane nuk do të mungojë.

Berndt Boschard: “Në këtë kontekst zonja Marian Bitle drejtuese e kësaj zyre do të bëjë një vizitë në Shqipëri, gjatë kësaj vizite ajo nga njëra anë do të informohet në lidhje me situatën historike dhe debatin aktual në Shqipëri, nga ana tjetër do të vihet në dispozicion për biseda me ekspertë dhe për një aktivitet publik ku të mund të raportojë si të thuash nga dora e parë në lidhje me përvojat gjermane lidhur me këtë temë.”

Të paktën 1.6 milion gjermanë u njohën me dokumentet e ish sigurimit të shtetit, procesi për verifikimin e bashkëpunëtorëve të policisë sekrete në ish Gjermaninë Lindore vazhdon ende, por tashmë për pozicione shuam të larta./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Ben Haxhiaj