Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me zëvendësndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jonathan Parish, me të cilin ka biseduar për situatën e përgjithshme të sigurisë, rrugën euroatlantike të Kosovës si dhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në një komunikatë për media, Haradinaj është thënë të ketë falënderuar NATO-n dhe trupat e KFOR-it për mbështetjen e dhënë në procesin e paqes dhe sigurisë, si dhe ka theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të pranisë së NATO-s në Kosovë.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, multietnike dhe e cila në të ardhmen do të jetë aleate e besueshme përkrah miqve tanë euroatlantik”, është cituar të ketë thënë Haradinaj.
Ai ka kërkuar mbështetjen e NATO-s në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së.
Zëvendësndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jonathan Parish, ka thënë në anën tjetër se NATO-ja përmes KFOR-it do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, duke shprehur përkushtimin për bashkëpunim edhe në të ardhmen./REL