Debati i parë mes kandidates demokrate për presidente Kamala Harris dhe rivalit të saj republikan Donald Trump u shoqërua me polemika të forta mbi ekonominë, emigracionin, kujdesin shëndetësor dhe politikën e jashtme.
Nënpresidentja Harris, kritikoi synimin e Trumpit për të vendosur tarifa të larta ndaj mallrave të huaja, ndërsa foli mbi planin e saj për të ofruar përfitime tatimore për familjet amerikane dhe bizneset e vogla.
Ajo deklaroi se kur Trump u largua nga presidenca la nivelin më të ulët të punësimit që nga koha e ‘Depresionit të Madh’. Nga ana e tij Trump, kritikoi Harrisin për inflacionin e lartë gjatë mandatit të administratës së Presidentit Biden. Trump deklaroi se emigracioni i klandestin dhe inflacioni ka goditur rëndë shoqërinë amerikane.
Kandidatët gjithashtu shkëmbyen kritika për politikën e jashtme. Demokratja Harris akuzoi republikanin Trump se ishte i gatshëm të tërhiqte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën për të fituar favorin e Presidentit rus Vladimir Putin. Ndërsa Trump pretendoi se Harris “urren” Izraelin, një pohim që ajo e hodhi poshtë.
Trump, i cili ka kaluar javë të tëra duke bërë sulme personale ndaj Harrisit, duke përfshirë fyerje raciste dhe seksiste, kryesisht shmangu fyerjet në fillim të debatit, por u shfaq gjithnjë e më i zemëruar nga kritikat e Harrisit.
Nga ana e saj Kamala Harris kritikoi Trump për problemet që ai ka me drejtësinë. Trump hodhi poshtë këto akuza dhe sërish akuzoi Harrisin dhe demokratët se kanë orkestruar të gjitha paditë ndaj tij pa prova. Ish-Presidenti Trump përsëriti pretendimin e tij se zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden, ishin manipuluar dhe e quajti Harrisin një “marksiste”.
Sipas analistëve debati ishte i balancuar, por Kamala Harris mund të konsiderohet si më e fituara. Ajo e tregua e qetë dhe arriti të nervozonte Donald Trump duke e bërë atë që t’u kthehej akuzave të pabazuara.
Klan News