Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE ka zhvilluar një takim me fokus tek Shteti i së Drejtës në Procesin e Berlinit. I pranishëm, ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani flet per rëndësinë që ka për qeverinë shqiptare forcimi i institucioneve të drejtësisë.
“Në fjalën time referova arritjet e Shqipërisë në reformën gjithëpërfshirëse të sundimit të ligjit, me krijimin e institucioneve të pavarura të gjyqësorit, ngritjes së strukturave të posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe rezultatet e prekshme dhe të qëndrueshme të këtyre reformave.”
E pas hapave që po hedh Shqipëria, Hasani mendon se tani është radha e Brukselit të tregojë mbështetjen e tij për këto reforma dhe të vendosë datën për Konferencën e dytë Ndërqeveritare.
“Ajo që duhet të arrijmë sa më shpejt është mbajtja e Konferencës së dytë Ndërqeveritare, që nis negociatat me grupkapitujt themelorë të sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike. Ritheksova se bashkëpunimi rajonal në reformat e sundimit të ligjit, është po aq thelbësor sa dhe përpjekjet tona në planin e brendshëm.”
Sipas ministrit Hasani, procesi i anëtarësimit duhet të bëhet i prekshëm dhe për qytetarët e këtyre vendeve kandidate, përfshirë këtu dhe integrim më të përshpejtuar me mekanizmat dhe programet e BE për sundimin e ligjit.
Tv Klan