Kjo është qendra protokollare në Berdo të Kranjit. Këtu pritet të bëhen bashkë shumë liderë në një konferencë ballkanike.

Edhe ky park i jashtëzakonshëm është pjesë e saj. Të gjitha këto të mira mbase do t’i shijojë edhe Hashim Thaçi, kuptohet nëse plotësohet një kusht:

Fatmir Sejdiu: “Ne e kemi bërë shumë të qartë. Edhe atje kisha pyetje në këtë drejtim dhe besoj dhe kryeministri ka dhënë përgjigje të ngjashme. Kosova do të shkojë në samit vetëm e trajtuar barabartë si të tjerët”.

Presidenti Sejdiu pas kthimit nga Brukseli nuk la asnjë shteg tjetër kompromisi për pjesëmarrjen në Bërdo.

Fatmir Sejdiu: “Por jo në asnjë variant tjetër që nënkupton Kosova të jetë pas shpine apo në pas dere, siç thuhet.”

Në të njëjtat frekuenca ishte dhe kryeministri Hashim Thaçi me t’u kthyer nga Estonia.

Hashim Thaçi: “Kosova do të përfaqësohet si e barabartë si të gjitha vendet e tjera, pra si shtet i pavarur dhe sovran”.

Sipas kryeministrit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht mbajtja e konferencës, mirëpo ai beson se në Bërdo megjithatë do të mblidhen liderët ballkanikë./tvklan.al