Kryeministri Hashim Thaçi e ka quajtur mision të kotë përpjekjen e Serbisë që të marrë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Këto komente kryeministri kosovar i bëri pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin e Australisë në Vjenë, Peter James Shannon.

Hashim Thaçi: “Serbia është duke bërë lëvizje të fundit për t’u arsyetuar para opinionit të vet publik. Serbia e di se Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik, i njohur prej 46 shteteve demokratike të botës, të fuqive më të rëndësishme të politikës botërore. Ky proces do të ketë vetëm zgjerim mbështetjeje, do të jetë një proces jo dhe i lehtë, mirëpo do të jetë definitivisht, do të përfundojë me sukses të plotë. Bëjnë përpjekje të kota.”

Serbia po bën përpjekje që ligjërisht ta bëjë të pavlefshëm shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Diplomacia serbe ka hartuar një rezolutë, të cilën po përpiqet ta shtyjë në punimet e asamblesë së përgjithshme të OKB-së që fillojnë këtë javë.

Deri më tash Beogradi ka marrë mbështetjen e një sërë vendesh, mirëpo këtë të mërkurë do të vendoset nëse propozimi i Serbisë do të zërë vend në punimet e asamblesë.

Përkundër kësaj kryeministri Hashim Thaçi beson se Kosovën e presin vetëm ditë të mira, si në planin e zhvillimit ekonomik, ashtu edhe në procesin e njohjes të pavarësisë.

Nga ana e tij diplomati australian, Peter James Shanon, ka premtuar ndihmën e vendit të tij në shumë fusha.

Peter James Shannon: “Ne do të shikojmë për mundësinë e shkëmbimeve tregtare me Kosovën, sidomos në fushën e thëngjillit, por edhe në fusha të tjera sikurse është transporti. Gjithashtu ne do të bashkëpunojmë edhe në sektorin e arsimit, ku presim që studentë kosovarë të vijnë për studime tek ne dhe profesorët tanë të vijnë këtu për të ligjëruar”.

Gjatë punimeve të asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, do të qëndrojnë në Nju Jork.

Atje ata do të përpiqen që të lobojnë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe rrëzimin e rezolutës serbe./tvklan.al