Në vizitën e tij në Beograd, ndalesa e parë e turit në Ballkan, shefi i politikës të Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Evropian, Havier Solana tha se Serbia së shpejti do të marrë lajmin e mirë për liberalizimin e vizave.
Ajo që mund t’ju them tha Solana në konferencën për shtyp me ministrin e jashtëm Vuk Jeremic është se në pak ditë do të merrni shpresoj lajme të mira. Ato do të jenë të mira për popullin e Serbisë dhe do jem shumë i kënaqur ta shoh këtë të ndodhë.
Megjithatë, për të shpejtuar në rrugën drejt anëtarësimit në bllok, Serbia duhet të arrestojë dy të shumëkërkuarit e luftës, ish-komandantin Ratko Mlladic dhe liderin e serbëve në Kroaci Goran Haxhic.
Holanda, është një nga vendet që heziton ti ofrojë Serbisë lehtësira në perspektivën europiane për shkak të dështimit të saj në çështjet e krimeve të luftës. Pas vizitës në Beograd, Solana do të ndalojë në Prishtinë. Ai do të takohet me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi.
Turi i tij në rajon do të përfundojë me ndalesat në Shkup dhe Podgoricë. Bashkëpunëtorë të zotit Solana kanë riafirmuar qëndrimin e tij se Ballkani Perëndimor duhet të bëhet pjesë e BE-së, sepse në këtë mënyrë Evropa do të jetë e sigurt, e qëndrueshme dhe do të forcojë rrugën e vet të mirëqenies./tvklan.al