Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Një pritje për heronjtë. Duartrokitje, brohoritje, thirrje Nato, Nato, secili në mënyrën e tij do të shpreh mirënjohje falenderim. Janë këto pamje nga një shëtitje e shkurtër nëpër rrugët e Prishtinës e protagonistëve kryesor të fushatës ajrore të Natos kundër Jugosllavisë.

Havier Solana, Uesli Klark dhe Xhemi Shehi. Qëllimi i vizitës siç kanë theksuar udhëheqësit e lartë të Aleancës është vlerësimi i gjendjes pas dislokimit të forcave paqeruajtëse në Kosovë. Solana e Klark mbrritën në Prishtinë me një helikopter dhe takimin e parë e kanë zhvilluar me komandantin e KFOR-it Majkëll Xhekson.

Sekretari i Përgjithshëm Havier Solana dhe gjenerali Uesli Klark gjatë qëndrimit në Prishtinë kanë zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike të Kosovës dhe me përfaqësues të palës serbe. Pas këtyre takimeve sekretari i përgjithshëm i Natos Solana në një konferencë shtypi tha se në takimin që pata me Hashim Thaçin u morëm vesh për demilitarizimin e plotë të UÇK-së.

I vetmi formacion i armatosur në Kosovë do të jetë KFOR-i tha Solana. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës tha se komuniteti ndërkombëtar mbajti dhe do të mbaj premtimet. Tani detyrë kryesore është paqja dhe ndërtimi i Kosovës. Drejtësia po ashtu do të çohet në vend tha Solana.

Gjenerali Klark edhe sot përsëriti vlerësimin që krimet e shumta që po identifikohen për çdo ditë në Kosovë justifikojnë fushatën ajrore që ndërrmori Aleanca kundër Jugosllavisë./tvklan.al