Paraditen e këtij 8 Marsi në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan u diskutua lidhur me rolin e gruas në Shqipëri. Xheni Hatillxhari tha se një autoritet mashkullor duket sikur është qenie e rrezikshme për vajzat.

“Babai, vëllai, por dhe një autoritet tjetër mashkullor duket sikur janë qenie të rrezikshme për vajzat dhe gratë sot. Është alarm. Për mua dhuna nuk duhet justifikuar. Nuk mund të kuptoj transmetimin e videove të dhunshme”, tha Hatillxhari.

Sipas inxhinieres Luljeta Bozo duhet promovuar më pak agresiviteti.

“Unë mendoj se amplifikohet pak pasi nuk janë këta që mbizotërojnë në shoqërinë tonë. Rrjetet televizive kanë rol për të promovuar sa më pak agresivitet”, tha Bozo.

Sakaq Ketrin Gjocaj u shpreh se ka gra që flasin me gjuhë të rëndomtë dhe janë modele të këqija për t’u ndjekur.

“Unë jam në anën e grave, por dhe vajza të reja e gra që flasin me një gjuhë të rëndomtë, arrogante, pa kulturë. Hë po ti, po ti. Po ku më the ti mu. Jo po unë. Këto janë me nivel që vlen për të dëshiruar, janë modele të këqija, se ato që i shikojnë do të ndihen keq”, tha Ketrin Gjocaj./tvklan.al