Mbrëmjen e sotme “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan mbyll siparin e sezonit të shtatë. Në fluturimin e tyre të fundit, 10 piterpanistët kishin një të ftuar shumë të veçantë: Helena Kadare.
Helena Kadare është gruaja e parë romanciere në letërsinë shqiptare, por edhe përkthyese ekselente e kryeveprave botërore.
Autore e librave si: “Një lindje e vështirë”, “Një grua nga Tirana”, “Bashkëshortët” dhe “Kohë e pamjaftueshme”, Helena Kadare, ka në qendër të romaneve të saj, jetën vajzërore, të nënës dhe bashkëshortes, një mision që e ka përmbushur më së miri përmes letërsisë, duke dhënë mesazhe të forta.
Kian: Ti si u bëre shkrimtare, a e zbulove vetë, apo të tha dikush?
Helena: Unë kam dërguar një shkrim në gazetën Pioneri, dhe më kthyen përgjigje duke më thënë që nuk bëhesh shkrimtare duke kopjuar veprat e të tjerëve, duhet t’i bësh vetë. Këtu mora mësimin e parë.
Kian: A e mban mend, me leket e librit të parë që fitove, çfarë ke blerë?
Helena: Librin e parë e shkruaja natën dhe prindërit më thoshin shuaje dritën, shuaje dritën dhe prandaj titulli i librit është “Shuaje dritën Vera”. Me lekët e para thjesht arrita të kisha të ardhurat e mia dhe të krijoja pavarësi.
/tvklan.al