Helmimet nga ushqimet janë një problem real në ditët e nxehta të verës.

Mjekët infeksionistë shprehen se numri i pacientëve që kanë nevojë për kujdes mjekësor si pasojë e helmimit ushqimor rritet së tepërmi në këtë stinë.

Shkak për këto helmime apo intoksikacione janë bakteret e salmonelës dhe shigeles, që  gjenden në ushqimet apo ujë.

Për të shmangur këto probleme shëndetësore mjekët kërkojnë të bëhet kujdes, madje edhe në përdorimin e ujit të pijshëm.

Alma Hoxhaj: “Intosikacioni elementar shfaqet ose nga mikrobet vetë ose nga toksina që lëshojnë ato nëpër ushqime. Më të shpeshtat kemi nga salmonelat, shigelat janë më të shpeshtat që sidomos nga ushqimet e ndenjur. Masat kryesore janë që uji që rri mbi një ditë nuk duhet që të konsumohet për të pirë, ushqimet që gatuajnë gjellërat e të gjitha është mirë që të konsumohen brenda vaktit maksimumi dmth vaktin tjetër sepse nuk rekomandohet në këtë sezon që ushqimet të jenë të ringrohura. Pasi siç thamë shkaktohen o nga mikrobet, o nga toksina e mikrobeve. Dhe ringrohja bën që të aktivizohen, në qoftë se gjella është e ndenjur bën riaktivizimin e mikrobeve”.

Këto lloj infeksionesh apo helmime manifestohen me diarre, të vjella  dhe temperaturë, ndërsa mjekët rekomandojnë të bëhet kujdes dhe në përdorimin e perimeve apo frutave të cilat duhet të lahen shumë herë dhe mirë me ujë të pijshëm./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami