Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Të paktën 15 persona janë pyetur deri tani në lidhje me vrasjen e biznesmenit shqiptar Florian Vila. Të shoqëruarit që janë pyetur janë persona që janë ndodhur në afërsi të vendngjarjes, apo njerëz të cilët kanë pasur marrëdhënie me viktimën dhe mund të hedhin pak dritë në lidhje me problemet që çuan në ekzekutimin e 36-vjeçarit.  

Nga ekspertiza e krimit deri tani rezulton, që kanë qenë dy armë që kanë goditur mbi viktimën në momentin e ekzekutimit, të dyja pistoleta të tipit TT. Roja i godinës, dëshmitari kyç i ndodhur vetëm pak metra larg makinës, ku u qëllua Vila, ka shpjeguar se ekzekutorët janë dy persona të cilët mbanin veshur uniforma me shenja të policisë, por jo të oficerëve dhe policëve të thjeshtë.

Sipas tij, veshja e tyre ngjante më tepër me veshje të forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe se personat mbanin kasketa. Vetë viktima Florian Vila, pronar i firmës Flevi, zotëronte një armë me leje, të cilën nuk e mbante vazhdimisht me vete. Kjo sipas policisë përjashton mundësinë e ndonjë konflikti të hapur apo kërcënimit të ditëve të fundit, ndaj tij.

Pistat e ngritura në orët e para pas krimit në lidhje me një hasmëri me familjen e një punëtori të aksidentuar në punë, apo me ndonjë gjobë të vënë nga grupe të fortish, duket se nuk qëndrojnë pas deponimeve të familjarëve dhe hetimeve paraprake nga ana e policisë. Ndërkohë që familjarët dhe bashkëpunëtorët e biznesmenit Vila janë shprehur, se konkurrenca dhe sfidat e viktimës në biznesin që ai zhvillonte janë shkaqet e vetme ku njeriu mund të kishte kundërshtarë./tvklan.al