Ky filmim dëshmon breshërinë e raketave të hedhura nga Hezbollahu drejt qyteteve veriorë të Izraelit, natën e kaluar si hakmarrje ndaj valës së sulmeve dhe shpërthimeve në pajisjet elektronike të militantëve të organizatës pro-iraniane në Liban.
Mbi 100 raketa u lëshuan në total nga Hezbollahu, shumica e të cilave u shkatërruan në ajër nga mbrojtja izraelite anti-raketë. Deri më tani flitet për 3 të plagosur në territorin izraelit, ndërsa këto filmime tregojnë dëmet që këto sulme shkaktuan në qytezën verior Krijat Bialik.
Sirenat e luftës ranë edhe në qytetin më të madh të veriut, Haifa. Hezbollahu njoftoi se në shenjestër ishin komplekset industriale dhe objektivat ushtarake.
Mbi 500 mijë banorë të veriut të Izraelit u dyndën nëpër vendstrehime, gjatë natës. Nuk janë ndalur ndërkaq edhe sulmet e ushtrisë izraelite në Liban, kundër objektivave të Hezbollahut ku numri i viktimave arriti në 45.
Në një tjetër zhvillim në orët e para të kësaj të diele, ushtria izraelite mbylli për 45 ditë zyrat e Al Jazeera-s në Ramallah në Bregun Perëndimor. Pamjet e hyrjes së ushtarëve izraelitë në zyrat e televizionit u transmetuan drejtpërdrejtë.
Izraeli akuzon median me qendër në Katar se ka shkelur ndalimin me ligj të hyrjes së mediave të huaja në Rripin e Gazës. Al Jazeera ka qenë media e vetme që ka bërë reportazhe në zonat ku luftohet në territorin jugperëndimor palestinez.
Tv Klan