Himara është përfshirë sot nga dy protesta të ndryshme me të njëjtin qëllim, zgjidhjen e çështjes së pronës dhe abrogimin e ligjit 7501.

Në njërin prej tyre ku merrte pjesë edhe deputeti Spartak Ngjela deputeti i LSI-së Neranxi ka hedhur akuza të forta ndaj kryetarit të bashkisë së Himarës, Bollano, duke akuzuar atë për tjetërsim të pronës.

Nikollaq Neranxi: “Thelbi i kësaj proteste është për të bërë publike korrupsionin e madh dhe grabitjen e pronave që është bërë me pronat e trashëguara të himarjotëve. Bollano është drejtuesi kryesor i këtij aksioni për grabitjen e pronave të trashëguara. Unë kam dokumentet këtu të firmosura nga Bollano”.

Spartak Ngjela: “Jam i informuar që me një kryetar bashkie bastard që nuk dihet se kujt i përket Himara po kthehet në një mollë sherri, por me një sherr të stisur.”

Pak metra më tutje është zhvilluar një tjetër tubim protestues, i drejtuar nga kryebashkiaku Bollano, mbështetur nga shoqata, “Bregdeti” dhe ajo OMONIA.

Madje bëhet e ditur se dje në Himarë kanë mbërritur katër autobusë me persona të ardhur nga Greqia, të interesuar për të marrë pjesë në këtë protestë. Bollano kërkoi që të provohen të gjitha akuzat në adresë të tij.

Vasil Bollano: “Nuk jam njohës i këtyre akuzave dhe nuk jam në dijeni të këtyre akuzave. Doja që të ma komunikonte zoti Ngjela në qoftë se ka ose të kryente denoncimet e duhura sepse besoj se është një jurist i mirënjohur.”

Qytetarët e mbledhur në bashkinë e Himarës protestuan paqësisht deri tek zyrat e OMONIA-s duke mbajtur në duar banderola në gjuhën greke krahas atyre në shqip ku shkruhej: “Duam shkolla greke. Himara, toka jonë. Hiqni duart nga Himara”.

Në fund është nënshkruar një peticion për abrogimin e ligjit 7501 për tokën./tvklan.al