Qytetarët në Himarë u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë. Në garë përballë njëri-tjetrit janë socialisti Vangjel Tavo dhe përfaqësuesi i opozitës Petro Gjikuria. 23 mijë e 74 qytetarë me të drejtë vote janë thirrur për të shprehur vullnetin e tyre në 36 qendra votimi. Procesi është hapur në orën 7:00 dhe pritet të mbyllet në orën 19:00 të mbrëmjes.
Më përgjithësi, në të gjitha qendrat e votimit, procesi ka vijuar normalisht. Në një nga qendrat e votimit në Himarë fshat ka pasur një problematikë që nuk lidhet me anën teknike, por për shkak se shumë persona janë paraqitur me kartë identiteti të skaduar. Sipas informacioneve që gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli ka siguruar, rreth 200 persona nuk janë lejuar që të votojnë për shkak të kartës së identitetit të skaduar.
Për shkak të kësaj problematike, ka pasur një deklaratë dhe kryetari i përkohshëm i Bashkisë Himarë i zgjedhur nga Këshilli Bashkiak, Arqile Bollano.
Arqile Bollano, kryetar i përkohshëm i zgjedhur në Këshillin Bashkiak: Mesa vumë re, këtu ka shumë persona që janë me karta të skaduara dhe insistojnë të votojnë me kartë në një moment që ligji nuk e lejon. Nga kjo çështje është krijuar një konfuzion dhe kemi lajmëruar KQZ që të vijë për të zgjidhur këtë ngërç. Ligji e thotë qartë që me karta të skaduara nuk mund të votojë asnjë person dhe pasaporta duhet të mos ketë skaduar.
Ndërkohë, 2 kandidatët për kryetar të Bashkisë Himarë, kanë dhënë këto deklarata pasi kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Vangjel Tavo: Sot e kanë fjalën Himara dhe himariotët për të votuar. Procesi deri tani ka qenë shumë i qetë. Uroj që ky proces të vijojë kështu sikurse ka mbizotëruar dhe gjatë fushatës elektorale. I bëj thirrje të gjithë banorëve të dalin masivisht në votime, të votojnë projektin dhe alternativën më të mirë për Himarën.
Petro Gjikuria: Kjo është një ditë feste, le ta festojmë të gjithë bashkë. Është dita e demokracisë, uroj të gjithë bashkëfshatarët e mi të shkojnë në kutitë e votimit, të votojnë, të fitojë më i miri, të fitojë demokracia. Unë do të jem kryetari i ardhshëm i Bashkisë Himarë.
Vitin e kaluar u lanë njerëzit të votonin me karta të skaduara, kurse këtë herë nuk u lanë të votonin edhe ky është një problem se edhe trajtimi i qytetarëve në Bashkinë e Himarës, socialistëve u jepnin karta brenda 24 orëve, kurse anës tjetër u thoshin “për 2 javë”. Nuk mendoj se do të ndikojë në rezultat, do të jetë një rezultat i mirë. Koalicioni “Bashkë Fitojmë do të fitojë, do të fitojë demokracia. Këtu i bëjnë ligjet si të duan vetë.
Në zgjedhjet e 14 Majit të vitit 2023, fituesi u caktua nga një grusht votash. Kështu, në zgjedhjet e kaluara votuan gjithsej 7821 persona, ku kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri mori 3840 vota, vetëm 19 vota më shumë se rivali socialist Jorgo Goro që mori 3821 vota.
Zgjedhjet në Himarë mbahen për shkak të dënimit me 2 vjet burg të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri për blerje votash. Beleri nuk e ushtroi detyrën asnjë ditë pasi u arrestua më 12 Maj të 2023, 2 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme vendore dhe nuk u lejua nga gjykatat që të bënte betimin si kryebashkiak.
Arrestimi dhe dënimi i tij acaroi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës, me Greqinë që kërcënoi edhe me bllokim të procesit të integrimit dhe me kryeministrin Mistsotakis që e futi Belerin në listën deputetëve të Parlamentit Europian.
Gjatë këtyre muajve, ka vijuar një betejë e gjatë ligjore dhe politike, pasi edhe kryetari që ishte në detyrë, Jorgo Goro u arrestua më 23 Mars të këtij viti për tjetërsimin e pronave në Himarë.
Me dy kryetarë në burg, Bashkia e Himarës u drejtua fillimisht nga nënkryetarja Blerina Bala, e cila u dorëhoq pak më vonë dhe aktualisht drejtohet nga Arqile Bollano.
Tv Klan