Plot 45 vjet histori në celluloid, reflektime mbi atë kohë, rrëfime dhe dëshmitarë, tregime në vitet e diktaturës, nën ndërhyrjen e zhurmuesit.
“Histori me Zhurmues” mbushi plot një vit nga transmetimi i emisionit të parë që nisi të dielën e parë të Janarit 2009. I ideuar dhe drejtuar nga Pandi Laço, në rreth 45 emisione të realizuara dhe transmetuara, çdo të diel në Televizionin Klan, me plot 150 personazhe të ftuar, kanë qenë në vëmendje ngjarjet më të rëndësishme që shenjuan Shqipërinë nga paslufta deri në vitin 1990.
Përmes kinoditarëve të kohës, erdhën në “Histori me zhurmues” momentet më pikante të politikës, si prishja e kishave dhe xhamive pas fjalimit programatik të mbajtur në 68-ën nga ish-diktatori Enver Hoxha, e ashtuquajtura bombë në ambasadën sovjetike në 1951-in, një alibi për spastrime kundershtarësh të regjimit të Enver Hoxhës, konferenca e Tiranës ku u shpalosën si rrallëherë pakënaqësitë kundër udhëheqjes së Partisë Komuniste, vetvrasja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në vitin 1981, prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos në 1948-ën, vitet e mjaltit me Bashkimin Sovjetik, ndjekur nga vizita e Hrushovit në Tiranë në vitin 1960, si dhe prishja e marrëdhënieve me superfuqinë socialiste në 1963-in, që do të ndiqej në 1972-ën me izolimin total të Shqipërisë pas ngrirjes së marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike me Kinën Komuniste. Pa lënë mënjanë edhe edicionin special për bandën e Xhevdet Mustafës e infiltruar në vitin 1982 dhe padyshim një emision të veçantë kushtuar hijeve që shoqërojnë vdekjen e diktatorit Enver Hoxha në vitin 1985, të cilat janë shoqëruar edhe me analiza të të ftuarve në studio.
Por edhe reforma agrarë ne vitin 1946, shpallja e Republikës Popullore të Shqipërisë, tharja e kënetës së Maliqit në 1949-ën, ndërtimi i hekurudhës së parë Tiranë-Durrës, Hapja e Universitetit të Tiranës në 1957-ën, i ndjekur nga elektrifikimi i vendit në vitin 1970 dhe ndërtimi i një sërë veprash madhore si Hidrocentrali i Fierzës dhe deri në tërmetet me pasoja të rënda në vitin 1967 në Dibër dhe 1979 në Lezhë e Shkodër kanë qenë në qendër të emisionit “Histori me Zhurmues”.
Përmes filmimeve të kohës dhe dëshmitarëve të shumtë, gjetën vend arti, muzika, moda, sporti dhe kinemaja, nga bashkëprodhimi shqiptaro-sovjetik Skënderbeu me festivalin e 11-të të këngës në radiotelevizion në 1972-in dhe viktimat e tij.
Por “Histori me Zhurmues”, me regji të Bledar Laços dhe skenografi të Joni Krajës do të zbulojë dhe ndriçojë të tjera ngjarje të viteve të diktaturës çdo të diel me materiale të tera filmike të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, orë të tëra të arkivuara me kujdes, pa të cilat sot nuk do të reflektonim dot vizualisht.
Tv Klan