Historia e Skënderbeut bëhet edhe një herë objekt debati mes albanologëve dhe njohësve të mirë të historisë së Shqipërisë. “Skënderbeu ose misioni i pamundur i Schmitt-it”, i autorit Sandër Lleshi, është kundërpërgjigja më e fundit e publikuar në libraritë e kryeqytetit ndaj botimit me titull “Skënderbeu” të albanologut Oliver Shmitt. Lleshi bën një kritikë të mprehtë të ideve të austriakut, që është munduar të çmitizojë figurën e Skënderbeut.
Sandër Lleshi: “Libri i Schmitt-it ka një mori problemesh për të trajtuar. Schmitt pretendon që të zgjidh sipas tij përfundimisht engun, duke e shpjeguar gjithë historinë ose gjithë epopenë dhe rezistencën e Skënderbeut dhe të ushtrive arbre të kohës si një motiv gjakmarrje”.
Përveç çmitizimit të Skënderbeut Sandër Lleshi, kritikon Schmitt për këndvështrimin metereologjik në përshkrimin historik.
Sandër Lleshi: “Schmitti arrin deri atje sa të thotë që në fund të herës së sukseseve të Skënderbeut dhe të ushtrive të tij mund t’i dedikohen metereologjjisë, duke harruar që në një ballafaqim ushtarak, kushtet e tjera, pra kushtet mjedisore janë kushte të tilla që vërtetë të influencojnë në një ballafaqim luftarak, por ama infuencojnë në mënyrë të barabartë përballë dy palëve”.
Libri i Sandër Lleshit, nuk synon të jetë një antipod i librit të Scmmitt-it. Vlera e tij qëndron në spikatjen e gabimeve të bëra përkundrejt një figure historike shqiptare. Ai është një kontribut me vlerë në debatet rreth figurës së heroit tonë kombëtar, debate ku u përfshinë për disa kohë edhe politikanë./tvklan.al
Gazetare: Erjona Rafti