Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri janë mbi 1,700 persona të prekur me HIV/AIDS, raste të cilat sipas kësaj organizate vit pas viti kanë ardhur në rritje. Vetëm gjatë vitit 2023 referuar këtyre shifrave zyrtare janë evidentuar mbi 123 persona të prekur nga kjo sëmundje. Rezulton se 73% e rasteve janë meshkuj që kanë rezultuar pozitivë, ndërsa më pak femra.
Duke iu referuar të dhënave të OBSH-së për Shqipërinë, rreth 21% e të infektuarve meshkuj janë nga marrëdhëniet homoseksuale, ndërsa një pjesë tjetër nga injektimi i drogave me shiringë. Megjithatë në shumicën e rasteve infektimi me HIV/AIDS ka ardhur nga marrëdhëniet heteroseksuale.
Në raport me Europën, Shqipëria ka një prevalencë të ulët të raportimeve me HIV pasi renditet në vendin e 44 nga 53 shtete.
Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet çdo vit më 1 Dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie globale.
Kjo datë shërben si një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë deri më sot, për sfidat që mbeten në vazhdimësi dhe për të mobilizuar të gjithë aktorët që së bashku të dyfishojnë përpjekjet për të siguruar suksesin në përmbushje të qëllimit të përfundimit të HIV/AIDS-it deri në vitin 2030.
Klan News