Rikthehet në kinematë shqiptare “Njerëz dhe fate” seriali i shumëpritur që solli në ekran jetën e një familjeje shqiptare, peripecitë dhe problemet në fillim të viteve 2000. Tashmë në këtë sezon ai kthehet si një film “Njerëz dhe fate 2”, ku në fund do të sqarohen më shumë pyetje të lëna pezull.

Me skenar të Ruzhdi Pulahës, kasti i aktorëve që do të interpretojnë në këtë film janë Alfred Trebicka, Behar Mera, Arben Derhemi, Gentian Zenelaj, Artur Gorishti, Viktor Zhusti, Nevina Shtylla, Eni Jani, Mehdi Malkaj dhe shumë të tjerë.

Ndërkohë që vetëm dy ditë na ndajnë nga rikthimi i filmit në kinematë e kryeqytetit, producenti Dionis Papadhimitri në studion e “Rudina” në Tv Klan shprehet se filmi “Njerëz dhe fate 2”, impakti që ai do të lërë në publik pas rikthimit prej më shumë se dy dekadash, do i hapë rrugën zhvillimit të serive të një pas njëshme që synojnë të mbajnë të “mbërthyer” pas ekranit si dikur shikuesit shqiptarë.

Eni Jani: Gjithmonë ka qenë e hapur ideja, që para 20 viteve. Kjo kështu nisi që do të vazhdonin dhe seritë e tjera, për arsye të ndryshme gjërat nuk ndodhën, por gjithmonë ka qenë si dëshirë, ka qenë e fjetur që do të bëhej një gjë e tillë. Kështu që erdhi momenti, në fakt do guxim dhe kurajo për ta bërë, ajo ka pasur vështirësitë e veta, por këmbëngulja bëri që të realizohej filmi.

Rudina Magjistari: Sa i gjatë është filmi?

Dionis Papadhimitri: Unë dua ta nis pak që tek iniciativa. Iniciativa është një meritë e Benit që ka 2 vjet që përpiqet që ne të arrinim në këtë pikë. Filmi është 1 orë e 55 minuta i gjatë. Filmi është hapi ynë i parë, iniciativa që nga ky film ne të hapim dhe serialin, pra është premiera e hapjes së serive të tjera.

Arben Derhemi: Kjo do të thotë që në një farë mënyre gjithë ai vakumi 20-vjeçar i filmit dhe i gjithë personazheve të filmit, ka ardhur nëpërmjet një filmi 2 orë, ku ne kemi stabilizuar të gjitha linjat e filmit të cilat ishin në ajër. Ishin linja që ishin pothuajse 20-vjeçare disa të mbyllura dhe disa të hapura dhe në këtë mënyrë ne patëm mundësinë që të sillnim filmin në nivelin zero. Kemi ndërtuar themelet poshtë shumë të forta, që nuk ka çfarë i bën tërmeti dhe shpresojmë që të fillojmë “godinën”./tvklan.al