Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin një sinjal mjaft të fortë politik sot Tiranës zyrtare kur Ambasadori i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Ricard Hollbruk ka anulluar në mënyrë demonstrative vizitën e paralajmëruar në Shqipëri. Ambasada Amerikane kishte shpërndarë dje për median shqiptare edhe axhendën e vizitës së Hollbruk, ndryshe i njohur si arkitekti i paqes në Ballkan.

Në kuadër të një turneu në Rajonin e trazuar pas Kosovës dhe Maqedonisë, Tirana ishte lajmëruar të ishte stacioni i tij i sotëm. Sipas burimeve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Tiranës Hollbruk në orën 10.00 do të zhvillonte një takim 30 minutësh me Presidentin Mejdani ndërsa në orën 10:35 me Kryeministrin Majko. Një orë pas kësaj në godinën e sallës së konferencave ai kishte llogaritur dhe minutazhin e konferencës për shtyp me gazetarët.

Gjithçka për anullimin e vizitës është mësuar teksa gazetarët prisnin para godinës së Presidencës. Pyetjes së Televizionit Klan për arsyen e anullimit të kësaj vizite, punonjës së zyrës së marrëdhënieve me publikun në Ambasadën Amerikane ju përgjigjen herë me problemet që kishte patur avioni i Hollbrukut në Shkup dhe herë se ai mund të vijë në drekë ose pasdite.

Megjithatë kush njeh politikën dhe diplomacinë kombëtare e kupton se pas kësaj mosardhje fshihen të tjera shkaqe. Hollbruk është i fundit që anullon vizitën në Shqipëri, një veprim të tillë e ka bërë Hilari Klinton, Serketarja e Shtetit Ollbrajt si dhe Sekretari i Mbrojtjes Uilliam Kohen.

Tre të parët e kanë justifikuar mosardhjen me mungesën e sigurisë për shkak të frikës nga terrorizmi islamik. Por nëse për të parët ky justifikim mund të ishte ngushëllues, për Hollbruk ky fakt duket se nuk qëndron gjithsesi. Mbi të gjitha për një arsye fare të thjeshtë, Kosova nuk mund të ofrojë më shumë siguri se Shqipëria. Aq më tepër që Hollbruk i ka takuar krerët e UÇK-së jo në Prishtinën e çliruar dhe ruajtur nga trupat e NATO-s por dhe gjatë luftës dhe në malet e Drenicës.

Një nga shkaqet kryesore veç të tjerash për anullimin e kësaj vizite, Presidenti dhe Kryeministri duhet ta shohin dhe tek qëndrimi i djeshëm që ata mbajtën me Kryeministrin e Hungarisë. Ata i dhanë arye vetes të artikulojnë shkëputjen eVojvodinës nga Beogradi dhe thuajse bashkimin e saj me Hungarinë. Një qëndrim ky i hapur kundër frymës amerikane për çeshtjen e Jugollavisë të mbetur. Politikanët e Tiranës harruan që nuk janë më shumë se Presidenti dhe Kryeministri i Shqipërisë. Kështu që ata në asnjë mënyrë nuk mund të kërkojnë më shumë për Vojvodinën atë që ende nuk e kanë artikuluar zyrtarisht për Kosovën e çliruar nga NATO. /tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego