Këshilla e Fondit Monetar Ndërkombëtar për kujdes ndaj nivelit të borxhit publik është drejtuar edhe ndaj vendit tonë.
Megjithatë, ekspertë të ekonomisë mendojnë se stoku aktual i borxhit të jashtëm është nën kontroll dhe po menaxhohet me kujdes nga qeveria.
Artan Hoxha: “Totali i kredive të marra nga Shqipëria në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Atë të projektuara dhe ato faktike janë në parametra të kënaqshme. Këshilla e FMN-së ishte me vend për të thënë që veçanërisht në vitin 2010, 2011 dhe 2012. Politika fiskale shqiptare duhet me të luajë një deficit buxhetor, pra që krijon borxh të ri sa më të reduktuar. Të mos luajë me rritje të mëdha të këtij deficiti.”
Ministria e Financave ka në plan marrjen e një borxhi të ri prej rreth 300 deri 350 milionë eurosh nëpërmjet emetimit për herë të parë të eurobonove në tregun e kapitalit.
Një pjesë e këtij borxhi do të shkojë për rifinancimin e kredisë sindikale prej 200 milionë të marrë vitin e kaluar, interesat e të cilit kanë qenë të larta për shkak të krizës financiare.
Artan Hoxha: “Janë të gjitha mundësitë, të gjitha gjasat që interesi i kësaj kredie të marrë nëpërmjet eurobondeve në këtë vit të jetë më i ulët se interesi i kredisë së marrë nga disa banka. Që do të thotë me kredinë e re me interes më të ulët shlyhet kredia e vjetër me interes më të lartë dhe në njëfarë mënyre na mbetet të paguajmë një kredi me interes më të ulët.”
Zëvendësimi i borxhit të me interesa më të ulëta është këshilluar edhe nga Banka e Shqipërisë.
Ministria e Financave ka përzgjedhur 6 banka prestigjioze ndërkombëtare, dokumentacioni i hartuar nga të cilat do të prezantohet në qendrat financiare më të rëndësishme të Evropës, duke synuar pozicionimin atraktiv të Shqipërisë për investitorët potencialë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro