Tajari, protagonisti i rubrikës “Ka Një  Mesazh Për Ty” e nis rrëfimin  në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan duke treguar pak për veten. Ai ka lindur në Përmet, ka jetuar për një kohë të gjatë në Kuçovë, u martua në vitin 1979 dhe ka një djalë e një vajzë. Për shkak të lindjeve të vështira, bashkëshortja e tij u sëmur rëndë. Në atë periudhë të ngarkuar e të zgjatur, Tajari nuk e harron kurrë mbështetjen dhe ndihmën e “mbretëreshës” së tij, vajzës së tezes.

Tajar: Me zonjën time, Gjyljanën kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, por lindjet kanë qenë të vështira, kanë qenë me operim të dyja lindjet dhe si rezultat i lindjeve pati komplikacione në pjesën e brendshme të cipës së barkut. Në vitin 1990, ishte me shumë temperaturë dhe u shtrua në spitalin e Beratit dhe pasi u konkludua, pas 2-3 javësh e shtruar në Berat, erdhëm në Tiranë, u shtrua në Tiranë dhe u shtrua për një gjëndër tumorale.

Ardit Gjebrea: Në Tiranë apo në Berat thanë që është një gjëndër tumorale?

Tajar: Në Tiranë thanë që është një gjëndër tumorale.

Ardit Gjebrea: Ah, e kuptova.

Tajar: E panë me eko dhe me ato aparatura që ishin në ’90-ën, ishin një çikë të vështira setani është tjetër shkencë e teknologji.

Ardit Gjebrea: Besoj një tronditje e madhe të marrësh vesh që ke një tumor në bark?

Tajar: Tronditje dhe unë nuk e shpreha këtë lloj emocioni te të tjerët, por vetëm te vetja dhe i thashë babait.

Ardit Gjebrea: Çfarë u vendos, të bëhej operacion?

Tajar: U vendos që të shtrohej në Spitalin Onkologjik dhe u shtrua faktikisht, në fund të qershorit, korrik 1990 u bë operim. Mjekët çfarë kishin të shkruar në kartela panë. Ata nga gëzimi që s’kishte sëmundje të keqe…

Ardit Gjebrea: Domethënë nuk ishte gjëndër tumorale?

Tajar: Jo, jo, nuk ishte tumor.

Ardit Gjebrea: Një infeksion, por nga se ishte shkaktuar?

Tajar: Nga penjtë që kishin qepur në lindje, si duket trupi nuk i asimiloi.

Ardit Gjebrea: Pati infeksion.

Tajar: Në 1996 u shfaq prapë, operacion tjetër, por operacionin tjetër e bëmë njëherë në Berat, pastaj nga Berati erdhëm në Spitalin Ushtarak se ata nga Berati nuk e bënë dot.

Ardit Gjebrea: Tani cili është roli i vajzës së tezes në këtë histori?

Tajar: Ajo është mbretëresha ime, ajo është heroinë! Jo vetëm për mua, por për gjiithë farefisin. Ajo është grua me tre fëmijë, burrë dhe kushte si të gjithë shqiptarët, por bamirësi të paparë. Kur unë u shtrova në 1990, ajo vinte nga Kombinati, punonte me turne, vinte në spital, i sillte edhe për të ngrënë zonjës dhe i sillte rroba të hekurosura, të lara, të ndërruara. Unë vija çlodhesha, haja, pija atje, çupë  tezeje e kisha, por ajo nuk e dha ndonjëherë veten, ajo dhe burri i saj. Në vitin 1996 (gruaja) u shtrua në Laprakë te Spitali Ushtarak. Vinte me dy autobusë, një nga Kombinati në qendër dhe nga qendra në Laprakë.

Ardit Gjebrea: Xhemilja?

Tajar: Xhemilja, çupa e tezes. Edhe dy herë në ditë kishte raste që vinte. Nuk e di, nuk e imagjinoj dot se ku e gjente atë kohë, sa sakrificë bënte ajo për mua./tvklan.al