Lajme Arkiva 2003

13 muaj pas firmosje së protokollit marrëveshja e parë Nano-Berisha për reformën zgjedhore ka hyrë në fazën përfundimtarë të zbatimit. Mosmarrëveshjet edhe për rikompozimin e komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë edhe anëtarin e 7 janë zgjidhur me ndërhyrjen përfundimtare të përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë.

Ish bashkëkryetari demokrat i komisionit dypalësh Jemin Gjana ka shpjeguar për Tv Klan, pikat e kësaj marrëveshje që shënon një hap të rëndësishëm në plotësimin e një prej kushteve kryesore të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

Jemin Gjana: Kemi nënshkruar një marrëveshje në të cilat kemi hedhur principet themelore për ndërtimin e amendamenteve në administratën zgjedhore, përfshirë këtu rikompozimin e KQZ-së, komisionet e niveleve të dyta dhe të treta, vendimmarrje për çështje të rëndësishme me shumicë të cilësuar, pra vendimet e rëndësishme do të konsiderohen të vlefshme vetëm kur votohet 5 pro, pra votim 5 me 2. Në këto vendime të rëndësishme janë të tilla si shpallja e rezultateve dhe fituesve, vendimet për ankesat dhe apelimet dhe ankesat dhe disa çështje të tjera që ne i kemi konsideruar të rëndësishme, aktet normative të Komisionit Qendror të zgjedhjeve etj.

Gazetarja: Sipas jush gjithçka do të kalojë pa ndryshime zoti Gjana, siç keni propozuar ju?

Jemin Gjana: Detyrimisht kështu është kushti sepse ky është detyrimi i protokollit që kemi nënshkruar madje edhe detyrimi ku është ngritur komisioni dypalësh.

Për mbarimin e amendamenteve të kodit zgjedhor  drejtuesit e komisionit dypalësh do të mbajnë këto ditë në parlament një relacion të përbashkët ku do të përfshihen edhe dy çështjet e pazgjidhura nga ky komision, sistemi elektoral dhe rindarja e zonave zgjedhore./tvklan.al