Shpallja e listës së lojtarëve të kombëtares nga trajneri Sylvinho ka ngjallur shumë diskutime në ditët e fundit. Të çuditshme u panë për disa zgjedhjet e tij duke përzgjedhur lojtarë të rinj dhe duke lënë jashtë liste disa të tjerë të cilët kanë dhënë një kontribut shumë të madh në futbollin shqiptar. Por veç të tjerash u kritikua shumë lënia jashtë liste për këtë Euro2024 e Sokol Cikalleshit. Ky i fundit pas publikimit të listës me anë të një postimi në rrjetin e tij social dha lajmin e tërheqjes nga skuadra e kombëtares shqiptare të futbollit.

Ky vendim i tij është komentuar ditën e sotme gjatë një interviste në Klan News nga ish-futbollisti i kombëtares, Hysen Zmijani. Ai tha se vendimi i takon trajnerit Sylvinho pasi ai e di më mirë angazhimin dhe njeh çdo lojtar në fushën e lojës. Ndër të tjera, Zmijani u shpreh shumë optimist për pjesëmarrjen e kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian 2024 që do të zhvillohet në Gjermani. Nuk munduan as përgëzimet për arritjet e Sylvinhos duke e cilësuar atë shumë profesionist dhe të përgatitur.

Hysen Zmijani, ish-futbollist i Kombëtares: Unë them që më mirë nga sa e di trajneri nuk e di asnjë për vetë faktin që ne po japim vetëm mendime. Sigurisht që ai i njeh të gjithë lojtarët dhe ndjek thuajse çdo ndeshje të tyren dhe çdo minutë mund të them. Nganjëherë jemi edhe në zanatin e tij, ose në formacionin e tij, ose zgjedhjen e tij dhe nuk kemi të drejtë. Dhe pothuajse të gjithë specialistët, ata japin vetëm mendim, vendosjen e bën vetëm ai. Për vet faktin sepse janë disa gjëra që ne flasim nga ana sipërfaqësore dhe ai flet me realen. Sigurisht që ne nuk mund t’i njohim të gjithë lojtarët 100%, por ne japim vetëm mendimin se si mund ta shohim një ndeshje ose dy ndeshjet.  

Si puna e Gjimshitit që ne e shikonim që ishte në majat e tij, por të tjerët e kemi të vështirë për t’i vlerësuar në atë vlerësim që i vlerëson trajneri dhe them që duhet ta lemë të lirë. Për vetë faktin që Sylvinho ne na ka çuar deri këtu dhe po na jep njëfarë kënaqësie, njëfarë harmonie në ekip dhe njëfarë rezultati që ne dikur e kemi ëndërruar.

Sigurisht që nuk është e lehtë për të lënë ekipin e kombëtares dhe aq më tepër në atë moshë që është Cikalleshi, që ka mundësi për të luajtur të paktën edhe këtë Evropian. Megjithatë është një zgjedhje që duhet të bëhej. Ta lemë Brojën jashtë dhe të marrim Cikalleshin nuk është shumë e lehtë dhe të lemë Cikalleshin jashtë dhe të marrim ndonjë tjetër nuk është përsëri e lehtë. Kështu që kemi shumë paragjykime dhe them që t’ia lemë profesionist në dorë, ne e kemi edhe profesionistin që i ndjek çdo minutë.

Ne me një fjalë “fusim hundët” në punën e tij, të mos jemi skeptikë. Sylvinho e ka arritur objektivin që na ka futur në Europian, t’i marrim ndoshta tre pikë pse jo. Por gjithmonë shumë merita edhe tek kualifikimi sepse ka qenë nga më frytdhënësit, por sigurisht që zgjedhja është e tij dhe nuk e di se çfarë ka parë diçka më tepër tek të rinjtë. Tek Broja, është i padiskutueshëm them që duhet të thirret, por edhe tek Uzuni, Seferi, Muja ose të tjerët. Ne duhet të besojmë të mos shkojmë tek ajo që ne çdo gjë e kemi të kundërshtojmë. Sylvinho them se është më profesionisti që kemi patur dhe që po na ndjek në një mënyrë pak më shumë të avancuar tek futbolli shqiptar.

/tvkla.al