Një 39-vjeçar turk i dënuar me mbi 15 vite burg ka tentuar të hyjë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës.

Bëhet e ditur se 39-vjeçari ishte shpallur në kërkim për falsifikim të dokumenteve dhe për mashtrim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Turqi, vijon procedurat për ekstradimin e 39-vjeçarit.


Njoftimi i plotë:

Tentoi të hynte në Shqipëri, duke qenë i dënuar në Turqi, me mbi 15 vite burgim, për falsifikim të dokumenteve dhe për mashtrim, ndalohet 39-vjeçari turk, i kërkuar ndërkombëtarisht.

Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor dhe me etikë, qytetarëve në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi Bayram Yildiz, 39 vjeç, banues në Turqi.

Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 39-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, pasi Gjykata e Bursas, Turqi, e ka dënuar me 15 vite, 2 muaj dhe 15 ditë burgim, për falsifikim të dokumenteve dhe për mashtrim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Turqi, vijon procedurat për ekstradimin e 39-vjeçarit.


/tvklan.al