Të dënuarit për vepra të ndryshme penale, sapo përballen me jetën në burg mendojnë si të shkurtojnë ditët në qeli nëpërmjet sjelljes së mirë dhe angazhimit me punë. Madje thuhet se të gjithë presin amnistitë presidenciale për të shijuar sa më parë lirinë. Por në burgun Peqinit institucion që karakterizohet për standardet e larta në respektimin e të drejtave të të dënuarve dhe kushteve që ofron, vjen një shembull i rrallë dhe krejt i kundërt me psikologjinë e një të dënuari.
Nezir Mustafai, është një i dënuar për grabitje që pritej të lirohej brenda shkurtit, por ai ka vendosur që të rrijë edhe për pak kohë në burg si një mundësi sipas tij për të mësuar ABC edhe pse në moshë të madhe në shkollën e hapur në ambientet e burgut.
Gazetari: Në çfarë klase jeni?
Nezir Mustafai: “Në klasën e parë, po vazhdoj të mësoj më mirë, se nuk dija asi gjë. Dua të bëj kërkesë, s’mundem dot të bëj kërkesë, as të shkruaj, as s’di të lexoj”.
Gazetari: Kjo është arsyeja pse do të rrish këtu edhe pse lirohesh?
Nezir Mustafai: “Kur të dal jashtë, të di pak e të shkruaj noj letër, të shkruaj, të lexoj. Më ka ndihmuar shumë me libra, me fletore, me lapsa, me shkumësa, me të gjitha që si e si që unë të lexoj dhe të shkruaj”.
Nga ana tjetër, Institucioni i Zbatimeve të Vendimeve Penale në Peqin, ka siguruar për besimtarët dhe ambiente fetare. Xhamia dhe Kisha janë dy vende ku të dënuarit mund të falen. Gjatë vizitës sonë imami i xhamisë Behauddin Gashi, na flet më shumë për fenë dhe tolerancën që ekziston ndërmjet dy besimeve.
Behauddin Gashi: “Toleranca fetare është ajo që islami e ka pasuar në të gjitha drejtimet normalisht që ekziston. Toleranca fetare këtu brenda është maksimale, secili njeri e di vetë punën e vet, unë flas dhe përgjegjësia ime sikurse e gjithsecilit prej tyre është për sa i përket toleranca që ne na mëson islami”.
Shkëlqim Kalemi, Drejtor i Burgut të Peqinit, në intervistën për Tv klan, theksoi se krahas hapjes së shkollës në institucion pritet të finalizohen dhe projekte të tjera nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Shkëlqim Kalemi: “Është një eveniment në institucionin tonë, është hapja e një shkolle, aktualisht e frekuentojnë rreth 45 veta në 3 klasa, në klasën e 1, klasën e 5 dhe klasën e 9. Kemi dhe një sallë kompjuteri që na ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit, ku na kanë mundësuar 10 kompjutera që janë vendosur për mësimin e të dënuarve me kompjutera.
Burgu i sigurisë së lartë në Peqin nisi punimet në nëntor të vitit 2003 me financim të qeverisë italiane. Mban rreth 800 të burgosur të cilët janë të ndarë në 2 seksione, 500 prej tyre ndodhen në seksionin e sigurisë së mesme dhe 200 të tjerë në atë të sigurisë së lartë ose ndryshe të burgosurit vip ku 76 prej tyre vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm./tvklan.al
Gazetari: Julian Kasapi
Operator Klodian Kleçi