Të dënuarit për vepra të ndryshme penale sapo u përballen në me jetën në burg mendojnë si të shkurtojnë ditët në qeli nëpërmjet sjelljes së mirë dhe angazhimit me punë. Madje thuhet se të gjithë presin amnistitë presidenciale për të shijuar sa më parë lirinë.
Por në burgun e Peqinit, institucion që karakterizohet për standarde të larta në respektimin e të drejtave të të dënuarave dhe kushteve që u ofron, vjen një shembull i rrallë dhe krejt i kundërt me psikologjinë e një të dënuari.
Nezir Mustafai është një i dënuar për grabitje që pritej të lirohej brenda shkurtit, por ai ka vendosur që të rrijë edhe për pak kohë në burg, si një mundësi sipas tij për të mësuar ABC, edhe pse në moshë të madhe në shkollën e hapur në ambientet e burgut.
Gazetari: “Në çfarë klase je?”
Nezir Mustafai: “Në klasën e parë, po vazhdoj të mësoj më mirë se nuk di asgjë. Dua të bëj një kërkesë, nuk mundem dot të bëj kërkesë as të shkruaj as të lexoj.”
Gazetari: “Kjo është arsyeja pse do të rrish këtu edhe pse lirohesh?”
Nezir Mustafai: “Kur të dal jashtë të di të paktën të shkruaj ndonjë letër, të shkruaj, të lexoj. Më kanë ndihmuar shumë me libra, me fletore, me lapsa, me shkumësa më të gjitha që si e si që unë të lexoj dhe të shkruaj.”
Nga ana tjetër institucioni i zbatimit të vendimeve penale në Peqin ka siguruar për besimtarët dhe ambiente fetare. Xhamia dhe kisha janë dy vendet ku të dënuarit mund të falen.
Gjatë vizitës sonë imami i xhamisë Behauddin Gashi na flet më shumë për fenë dhe tolerancën që ekziston ndërmjet dy besimeve.
Behauddin Gashi: “Toleranca fetare është ajo që islami e ka parësore në të gjitha drejtimet, normalisht që ekziston. Toleranca fetare këtu brenda është maksimale, secili njeri e din vetë punën e vet. Unë flas dhe përgjegjësia ime sikurse gjithsecili prej këtyre është përsa i përket tolerancës që ne na mëson islami.”
Shkëlqim Kalemi, drejtor i burgut të Peqinit në intervistën për televizionin Klan theksoi se krahas hapjes së shkollës në institucion, pritet të finalizohen edhe projekte të tjera nga drejtoria e përgjithshme e burgjeve.
Shkëlqim Kalemi: “Një eveniment në institucionin tonë është hapja e një shkolle, aktualisht frekuentojnë rreth 45 veta me 3 klasa, klasën e parë, klasën e pestë dhe klasën e nëntë. Kemi dhe një sallë kompjuterësh që na ka ardhur nga drejtoria e përgjithshme e arsimit, ku na kanë mundësuar 10 kompjutera që janë vendosur për mësimin e të dënuarave me kompjutera.”
Burgu i sigurisë së lartë në Peqin nisi punimet në nëntor të vitit 2003 me financim të qeverisë italiane. Mban rreth 800 të burgosur të cilët janë të ndarë në dy seksione. 500 prej tyre ndodhen në seksionin e sigurisë së mesme dhe 200 të tjerë atë të sigurisë së lartë, ose ndryshe të burgosurit VIP./tvklan.al
Gazetar: Julian Kasapi