Fëmijëria e Silvanës ka kaluar mes shumë sakrificash, por nuk ka munguar kurrë dashuria. Ajo ka jetuar për shumë kohë me gjyshërit dhe ka mësuar prej tyre vlera që e shoqërojnë edhe sot. Gjyshi nuk jeton më, por me gjyshen vijon të ketë një raport shumë të ngrohtë. Nga tregimi i Silvanës për “Ka Një Mesazh Për ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, gjyshja duket një grua tepër e veçantë.
Silvana: Unë fejohem në moshën 18 vjeçe dhe burri im jeonte në Itali. Kur nisim të bëjmë ne letrat për të shkuar në Itali, fati deshi që më lidhi prapë me gjyshen. Marrim vizën në të njëjtën ditë, presim biletën në të njëjtën ditë dhe shkojmë bashkë, bëjmë edhe rrugën bashkë për në Itali. Pas një viti, kur ishte dasma ime zbulojnë që gjyshi ishte sëmurë rëndë, me tumor në mushkëri dhe si mami im, si gjyshja ato e dinin, por s’më thonë gjë mua. Gjyshja ka kërcyer gjatë gjithë dasmës, më ka ledhatuar dhe unë s’kuptoja asgjë.
Ardit Gjebrea: Dhe nuk e dha veten në asnjë moment.
Silvana: Jo, në asnjë moment. Pas pak muajsh, ai pastaj vdes. Gjatë asaj periudhe pas dasmës unë ngel edhe shtatzënë kështu që nuk mundem të kthehem. Gjëja që më vjen shumë keq, se unë nuk munda të isha afër gjyshes në këtë moment.
Në vitin 2020, kur pandemia izoloi brenda shtëpisë të gjithë botën, Silvana përjetoi edhe një ndjesi shumë të bukur pasi gjyshja që kishte ardhur për vizitë, u detyrua të qëndronte te ajo për disa muaj. Ajo do të kishte edhe ditëlindjen që Silvana u kujdes t’ia kthente në një ditë të paharrueshme.
Silvana: Pikërisht në 2020-ën ajo bën 80 vjeç por ndodh që jemi të mbyllur.
Ardit Gjebrea: Dhe si ia bëre ditëlindjen?
Silvana: Unë me kontaktet që kam të punës, arrij që të ma sjellin një tortë shumë të bukur, me një makinë qepëse sipër, me gërshërë, me pe, të gjitha të bëra, shumë e bukur, të më sjellin lulet, tullumbacet…
Ardit Gjebrea: I paska mbetur në mendje gjyshes.
Silvana: Shumë. Ajo, se unë flas shumë shpesh, gati përditë me atë në telefon, shpesh ma përmend këtë gjë./tvklan.al