Temperaturat e ajrit këtë javë kanë shënuar ulje të ndjeshme. Në zonat malore vlerat minimale kanë arritur edhe në -5 gradë Celsius. Bluzat e bardha bëjnë apel për kujdes të shtuar sidomos nga moshat e treta që kanë edhe sëmundje bashkëshoqëruese.

Sidomos kardiovaskulare, pulmonare, të sëmurët diabetikë, me insuficencë hernale, kronike, ato që vuajnë nga reumatizma, por sigurisht një kategori e prekshme janë dhe fëmijët kështu që nuk ngelen më pas. Kjo kategori është vulnerabël në prekjen e virozave nga të ftohti, kështu rekomandohet që të mos ekspozohen në orët e ftohta të ditës, që do të thotë në orët e para të mëngjesit apo në orët e darkës. Rekomandohet që ata t’i mbarojnë ato punët që kanë, pazaret që kanë për të bërë në orët e drekës, kur temperaturat janë disi më të larta”, tha Ibraj.

Sipas mjekes Ardita Ibraj, numri i pacientëve që paraqiten në qendrat shëndetësore me infeksionet respiratore është rritur gjatë Janarit dhe veç gripit stinor ka edhe raste me Covid, por edhe virusi sinsincial, të cilat shkaktojnë dhe simptoma të rënduara dhe temperaturë të lartë.

“Në fakt edhe Covidi tani është bërë pjesë e virozave stinore, por virozat e stinës kanë një klinikë e cila është pak më e butë, nuk arrin në temperatura agresive 39-40 gradë Celcius. Temperatura është më e menaxhueshme, përgjigjet ndaj veprimit të paracetamolit apo ibubrofenit, kolla është më e paktë, jo aq e fortë, ndërkohë që gripi paraqet një temperaturë shumë të lartë febrile, 39-40 gradë Celcius, kolla është e fortë, pacientët referojnë për dhimbje muskujsh dhe kockash”, tha Ardita Ibraj.

Numri i pacientëve pritet të rritet në javët në vijim sipas mjekes.

“Duke parë edhe trendin e viteve të kaluara, piku arrihet gjatë muajit Janar dhe fillimit të Shkurtit. Kështu që rëndësi ka që situata është shumë e menaxhueshme dhe për të paktën periudhën e tanishme nuk kemi komplikacione të forta si pasojë e gripit stinor, të paktën me kaq sa kemi ne rastet tona në poliklinikë që paraqiten ambulatorisht”, tha Ibraj.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, javën e parë të muajit Janar janë raportuar rreth 11 mijë raste me infeksione respiratore të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes.

Klan News