Festoi për fundin e karantinës, por tashmë rrezikon burgun
“Nëse do të mundja, do të kthehesha mbrapa në kohë dhe do të vdisja unë në vend të atij”.
Kështu është shprehur një 27-vjeçar shqiptar në Itali, i cili është vënë në pranga pasi përplasi për vdekje një person që po udhëtonte me biçikletë. Ai ishte në drejtimin e një automjeti tip “Fiat” në momentin e ngjarjes dhe sipas mediave shkak dyshohet të jetë bërë alkooli.
Atij iu zbulua në gjak 1.49 gramë për litër alkool, kur në Itali limiti është 0.5 g/l. Përveç kësaj, të riut iu bë testi disa orë mbrapa aksidentit, pasi ai ishte larguar nga vendngjarja.
Ndaj tij rëndon akuza e vrasjes në rrugë dhe e mosdhënies së ndihmës së shpejtë. Mediat shkruajnë se shqiptari është në gjendje të rëndë psikologjike dhe për këtë fakt për momentin ndaj tij është vendosur “arrest shtëpie”, por pritet që në vijim të rivlerësohet kjo masë sigurie.
Avokati i të riut ka treguar se klienti i tij nuk e di se si ka ndodhur përplasja. Ai ka shpjeguar se përpara aksidentit, shqiptari ishte mbledhur me disa persona, frekuentues të një palestre për të organizuar një festë për përfundimin e karantinës.
“Është e qartë që kishte pirë. Ai as që nuk e ka kuptuar që ka goditur një person. Maje edhe një pasagjer në sediljen mbrapa, i cili po flinte nuk ka kuptuar asgjë se çfarë ka ndodhur”.
27-vjeçari jeton me familjen në Itali dhe është i fejuar.
“Tani që është i vetëdijshëm ai i kupton mirë pasojat e asaj që ka ndodhur. Është i shkatërruar dhe e kupton se ka vrarë pa dashje një person e për këtë duhet të marrë përgjegjësi dhe do ta bëjë këtë”, tha avokati.
Ngjarja ndodhi më 23 Maj në Ascoli. 59-vjeçari Divo Covvia po udhëtonte e biçikletë në momentin që u aksidentua. U deshën hetimet e thelluara të policisë që të zbulohej se ishte shqiptari ai që e kishte përplasur pasi ishte larguar nga vendi i krimit pas ngjarjes./tvklan.al