Shkencëtarët kanë kërkuar prej kohësh përgjigjen se çfarë ndodh në trurin tonë në momentet para vdekjes.
Tani, një ekip neuroshkencëtarësh kanë regjistruar për herë të parë aktivitetin e trurit të një njeriu në prag vdekjeje.
Sipas të dhënave, duket se gjatë atyre momenteve shohim një “përmbledhje të jetës”. Këto janë raportuar shumë nga njerëzit që kanë përjetuar vdekje klinike apo kanë qenë shumë pranë vdekjes dhe janë shprehur se kanë parë gjithë jetën e tyre si një film shumë të shpejtë autobiografik. Kjo është e përngjashme me shprehjen e përditshme”m’u shfaq jeta para syve”.
Regjistrimi në fjalë është kryer te një pacient 87-vjeçar që kaloi arrest kardiak gjatë kurimit për epilepsi. Mjekët kishin vendosur një pajisje në kokën e tij për të monitoruar aktivitetin në tru, por i moshuari ndërroi jetë.
Ata regjistruan 900 sekonda të aktivitetit në tru rreth kohës së vdekjes çka u mundësoi të shihnin çfarë ndodhi 30 sekondat para dhe pasi zemra e tij ndaloi së rrahuri.
Matjet e valëve të trurit treguan se zonat që kontrollojnë kujtimet ishin ende aktive.
“Vetëm pak përpara dhe pasi zemra ndaloi, pamë ndryshime në një hark specifik të luhatjeve nervore të quajtura luhatjet gama, por edhe tek ato delta, theta, alfa dhe beta”, shpjegon dr. Ajmal Zemmar nga University of Louisville në Kentaki.
Valët e trurit janë modele të përsëritura të impulseve elektrike që janë të pranishme në trurin e një njeriu të gjallë. Llojet e larmishme të tyre reflektojnë funksione të ndryshme të trurit dhe vetëdijen. Valët gama përfshihen në funksionet e konjitivitetit të lartë siç janë kujtimet.
“Duke prodhuar valë truri që përfshijnë kujtimet, truri mund të jetë duke luajtur një përmbledhje të ngjarjeve më të rëndësishme të jetës pak përpara vdekjes, e ngjashme me eksperiencat e ‘takimit’ nga afër me vdekjen”.
Kërkuesit thanë se truri mund të jetë i programuar biologjikisht për të përballuar kalimin drejt vdekjes, ndoshta duke orkestruar episode fiziologjike dhe neurologjike sesa thjesht të mos funksionojë më.
Ata s’janë plotësisht të sigurt si dhe pse ndodh ky fenomen, por kanë disa teori.
Njëra është që pakësimi i oksigjenit mund të çlirojë neurotransmetues ose mesazherët kimikë që tejçojnë sinjale ndërmjet neuroneve. Këta të fundit aktivizohen shpejt dhe rritja e veprimtarisë mund të sjellë perceptimin e kujtimeve dhe imazheve të gjalla.
Një tjetër shpjeegim i mundshëm mund të jetë ruajtja e kujtimeve. Shkencëtarët besojnë që kujtimet shumë emocionale ruhen në amigdalë, zona e trurit që përgjigjet edhe për reagimet e shpejta. Aktivizimi i saj gjatë një episodi që kërcënon jetën mund të çlirojë kujtimet e gjalla duke i bërë të na shfaqen para syve.
Neuroshkencëtarët thonë se ky zbulim ka ngritur pyetje të reja e sidomos që lidhen me dhurimin e organeve. Kjo ndryshon diskutimin mbi vdekjen dhe nuk është e qartë se kur mund të vazhdohet me dhurimin e tyre.
Gjithsesi, ata janë shumë të vetëdijshëm se nuk mund të bazohen vetëm mbi këtë rast pasi truri i këtij pacienti kishte pësuar hemorragji, kriza dhe ënjtje ndaj në vijim do të merren në shqyrtim pacientë të tjerë./tvklan.al