Ka lënë ambientet e Spitalit të Traumës pas më shumë se një muaj trajtim mjekësor Kevin Hajrulla, kushëriri i Ines Hajrullës, një personazh i njohur në botën e krimit.

29-vjeçari ra pre e një atentati në qytetin e Vlorës mbrëmjen e 18 Dhjetorit. Ndaj tij u qëllua me breshëri plumbash, por fatmirësisht i riu mundi t’u shpëtojë plagëve të marra. Gjatë atentatit ai u plagos me 24 plumba. Po ashtu i plagosur mbeti edhe një kalimtar i rastit.

Kevin Hajrulla është pyetur nga grupi hetimor në lidhje me ngjarjen. Ai mësohet të ketë thënë se nuk ka konflike me askënd dhe se nuk ka lidhje me botën e krimit. 29-vjeçari nuk ka asnjë rekord kriminal dhe ishte i punësuar në një call center.

Grupi hetimor ka dyshime se autorët e kanë mbajtur nën vëzhgim 29-vjeçarin dhe kanë pritur që shënjestra e tyre të parkonte automejtin tip Benz ngjyrë gri, me të cilin ka qenë duke lëvizur.

Më pas ata shkrehën breshëri plumbash në drejtim të tij. Sa i takon zbardhjes së ngjarjes kriminale ende nuk ka persona të dyshuar dhe provat nuk janë shumë të forta që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje.

Përpara efektivëve të policisë, familjarët e 29-vjeçarit kanë shprehur shqetësimin për djemtë e tyre pasi dyshojnë se janë vënë nën survejim nga krimi i organizuar në Vlorë.

Në fillim të këtij viti uniformat blu të Vlorës kanë sekuestruar 3 automjete të blinduara të grupit të Inez Hajrullës, ndërsa këtë të fundit nuk e ka pyetur ende.

Inez Hajrulla është kushëriri i Kevinit dhe njihet si drejtuesi i një grupi kriminal i cili ka përplasje të forta me Bernard Sinematin. Hajrulla mori drejtimin e grupit kriminal të Edison Arizajt pas vrasjes së këtij të fundit në Durrës në 2018.

Sinamatit iu vra me snajper nipi Gëzimi në Janar të 2024, teksa ndodhej në ballkonin e banesës së tij. Edhe kjo ngjarje është ende pa autor.

Klan News