Fredi Beleri ka lënë ambientet e burgut ditën e sotme pas vendimit që ka marrë Gjykata e Fierit për lirim të tij me kusht. I veshur i gjithi me të zeza, siç duket dhe nga pamjet, Beleri ka lënë qetësisht qelinë ku vuante dënimin. Aty ai është pritur nga Petro Gjikuria dhe i biri i tij.
Pasi ka fituar lirinë me kusht, Fredi Beleri e ka quajtur dhe vendimin e sotëm të gjykatës, politik. Në një prononcim për mediat, Beleri është shprehur se betejën ligjore lidhur me zgjedhjet në Himarë do ta vazhdojë në Strasburg.
Fredi Beleri: Në Shqipëri nuk ka zgjedhje sepse pushteti ka vendosur që në këtë shtet të mos ketë zgjedhje. Në zgjedhjet e 14 Majit dola fitues, ndërsa ato të 4 Gushtit në të gjitha aspektet ishin të paligjshme. I paligjshëm ishte shkarkimi im, dekreti i presidentit dhe vendimi i kryeministrit që të implikojë të gjithë qeverinë, të gjithë shtetin dhe mafien për të fituar një palë zgjedhje në fshat.
Liria është e shenjtë, edhe një ditë në burg në mënyrë të padrejtë nuk ia vlen. Sigurisht që për mua është një nder i madh për të qenë eurodeputet, por liria e çdo njeriu është e shenjtë. Unë jam deputet i zgjedhur nga “Demokracia e re” nga qytetarët grekë. Bëj pjesë në Partinë Popullore. Në kuadër të këtyre 2 grupimeve do të ngre zërin për padrejtësitë që bëhen.
Pyetje: E prisnit lirinë ditën e sotme dhe a keni festuar këto 2 ditët e fundit në qeli?
Fredi Beleri: Nuk kam bërë asnjë festë. Edhe sot vendimi ishte politik, ashtu siç janë dhënë të gjitha vendimet deri më tani.
Pyetje: Ju keni deklaruar se do të vazhdoni betejën, në çfarë kuptimi do ta vazhdoni betejën?
Fredi Beleri: Betejën do e vazhdoj në Strasburg. Për mua, kjo çështje do të mbyllet në Strasburg dhe do të kërkoj të drejtën aty për rezultatin e zgjedhjeve në Himarë. Zgjedhjet nuk duhet të ishin bërë dhe ishin të paligjshme. Ishte i paligjshëm shkarkimi im, ishte i paligjshëm dekreti i presidentit dhe ato nuk ngjanin me zgjedhje, qytetarët iu është mohuar e drejta për të votuar. Zgjedhjet ishin bërë në 14 Maj 2023, Himara kishte kryetarin e bashkisë, pushteti nuk donte.
Pyetje: Do të qëndroni në Himarë apo në Athinë?
Fredi Beleri: Në Bruksel dhe në Athinë. Do të komunikoj me këdo që do të punojë për të mirën e Himarës. Nuk besoj se Tavo nga mënyra se si u përzgjodh, ka legjitimitetin e qytetarëve të Himarës.
Vendimi i Gjykatës së Fierit për lirimin e tij ka ardhur 6 javë para se ai të plotësonte kohën e plotë të dënimit. Fredi Beleri, i cili tashmë mban mandatin e eurodeputetit, u dënua me vendim të formës së prerë me 2 vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhjet e 14 Majit 2023. /tvklan.al