Milani ishte skuadra më aktive në fundin e merkatos, duke bërë lëvizje të shumta, si Santiago Gimenez, Joao Felix, Kyle Walker, Warren Bondo dhe Riccardo Sottil.

Këtë të Martë bëri prezantimin sulmuesi Gimenez, në krahun e të cilit ishte edhe Zlatan Ibrahimovic. Suedezi deklaroi se sulmuesin e kishin kërkuar që në merkaton e verës, por nuk arritën një marrëveshje.

Sipas Ibarhimovic, Milani është përmirësuar ndjeshëm në këtë merkato dhe pret rezultate në fushë.

“Gimenezin e kemi ndjekur prej kohësh. Tentuam ta afronim edhe në verë, por nuk ia arritëm. E rëndësishme është që ai sot ndodhet këtu. Ka cilësi të shkëlqyera. Dita e fundit e merkatos ishte shumë intensive, por e kishin gjithçka nën kontroll. Dua të falenderoj të gjithë, sepse bënë një punë të shkëlqyer dhe atë që në donim. Bëmë pesë blerje dhe pesë shitje.

Ne kemi forcuar ekipin. Çdo lëvizje e bëmë duke folur me trajnerin. Për mendimin tim jemi përmirësuar si ekip, por rezultatet do të flasin vetë. Kemi pasur shumë ulje-ngritje, por jemi ende i vetmi ekip që kemi fituar një trofe këtë sezon. Milani gjithmonë luan për të fituar. Nuk jemi të kënaqur me situatën aktuale. Duam më shumë, jemi të uritur”, deklaroi Ibrahimovic. /tvklan.al