Sprinti drejt fundit të sezonit është vendimtar për Thiago Mottën. Tekniku luan konfirmimin në pankinën e Juventusit, duke nisur nga sfida e kësaj fundjave ndaj Fiorentinës.
Një raund që mund t’i kushtojë edhe shkarkimin italianit, i cili këtë sezon ka dalë totalisht nga objektivat për fitimin e trofeve. Skenar që natyrisht ndërlikon jo pak pozitat e Mottës, gjithnjë e më pranë shkarkimit nga klubi torinez. Në këtë situatë, drejtuesit bardhezi kanë nisur të lëvizin në drejtim të një trajneri të ri.
Sipas asaj që raporton “Tuttosport”, media shumë pranë klubit torinez, Juventus dhe Roberto Mancini janë në një fazë shumë të avancuar për të arritur akordin.
Italiani është i lirë për të zgjedhur pas përvojës së tij në krye të Kombëtares së Arabisë Saudite. Ish-trajneri i Italisë gjendet në pole position përpara Gian Piero Gasperinit, me të cilin nuk ka pasur asnjë kontakt deri më tani.
Sërish sipas Tuttosport, trajneri i Atalantas po afrohet gjithnjë e më shumë me Romën për të zëvendësuar Claudio Ranierin.
Aq sa përfaqësuesit e saj së fundmi kanë zhvilluar diskutime me drejtorin sportiv të kryeqytetasve, Opsionet alternative për stolin e Juventusit janë Stefano Pioli, Xavi, Igor Tudor dhe Antonio Conte nga Napoli.
Drejtori sportiv, Cristiano Giuntoli ka konfirmuar besimin te Motta deri më tani, por tashmë duhen faktet për të siguruar të paktën vendin e katërt në renditje.
Objektiv që e kualifikon në Champions League e sezonit të ardhshëm dhe që do të shpëtonte dhe kokën e ish-mesfushorit.
Klan News